Dogana dhe Policia e Kosovës, në kuadër të Task Forcës – Lindje, kanë intensifikuar kontrollet dhe operacionet për parandalimin e kontrabandës dhe aktiviteteve të paligjshme në zonën kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, veçanërisht në rajonin që kufizohet me Komunën e Viti-së.
Gjatë një operacioni të realizuar mbrëmë, janë ndaluar dy automjete transportuese me targa vendore, drejtuar nga shtetas kosovarë. Gjatë inspektimit, janë zbuluar mallra komerciale të kontrabanduara nga Maqedonia e Veriut, për të cilat nuk ishin paraqitur dokumente të ligjshme që vërtetonin prejardhjen e tyre.
Njësitë e task forcës kanë kryer gjithashtu një kontroll edhe në një depo në Prishtinë, ku janë gjetur mallra të ndryshme komerciale, pa dokumentacionin e nevojshëm dhe pa origjinë të përcaktuar. Ky operacion tregon angazhimin e autoriteteve për të luftuar kontrabandën dhe rritjen e sigurisë në kufijtë e Kosovës.