Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” ka mbajtur një konferencë për media, një ditë para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore ku ka bërë thirrje për një fushatë të rregullt zgjedhore, garë të barabartë, liri të shprehjes, transparencë dhe mosshfrytëzim të resurseve publike për qëllime elektorale.
Më emër të DnV-së kanë folur Ismet Kryeziu, Mexhide Demolli-Nimani dhe Rezarta Delibashzade-Krasniqi.
Në konferencë është bërë thirrje që kandidatët dhe partitë duhet të kenë mundësi reale për të konkurruar në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Po ashtu, është thënë se nuk duhet të ketë pengesa artificiale për regjistrimin e kandidatëve apo partive.
Specifikisht, DnV vlerësoi që ky standard u vu në pikëpyetje gjatë rastit të moscertifikimit të Listës Serbe nga KQZ-ja.
Ndërkaq, përdorimi i burimeve publike për qëllime elektorale u tha se mbetet një çështje kritike gjatë periudhave zgjedhore.
“Aktualisht, janë vërejtur disa raste që ngrejnë shqetësime mbi integritetin e garës zgjedhore dhe barazinë midis subjekteve politike. Në këtë drejtim, vendimi i 22 dhjetorit i qeverisë për të shpërndarë nga 100 euro për rreth 700,000 qytetarë, përfshirë 400 mijë fëmijë dhe 300 mijë kategori tjera sociale (pensionistët, dhe skemat tjera sociale), si dhuratë për festat e fundvitit – që ka prekur pothuajse secilën familje – ka ngjallur diskutime nëse një masë e tillë mund të ketë ndikuar tek elektorati në prag të zgjedhjeve. Po ashtu, ceremonia e ndarjes së “kartelave” të punës për 220 të punësuar në KEK, ku kryeministri Albin Kurti mori pjesë personalisht për t’i dorëzuar, përbën një veprim që mund të interpretohet si përdorim i burimeve shtetërore për qëllime partiake”.
Për më tepër, DnV thotë se në nivelet komunale dhe qendrore janë raportuar gjithashtu raste të prerjeve të shiritave dhe promovimeve të projekteve të përfunduara, “si ajo e kandidatit të PDK në Mitrovicë, kandidatit të LDK në Lipjan, të cilat duket se janë planifikuar qëllimisht për t’u zhvilluar pranë periudhës së fushatës”.
“Këto veprime krijojnë një perceptim të përpjekjeve për të ndikuar votuesit përmes burimeve publike dhe vendosin në pikëpyetje barazinë e garës elektorale”.
Duke folur rreth fillimit të fushatës zgjedhore që do të fillojë të shtunën, nga DnV është kërkuar po ashtu që kandidatët, partitë dhe qytetarët duhet të jenë të lirë të shprehin mendimet e tyre dhe të organizojnë takime politike pa pengesa.