Në bisedat e publikuara dje nga një grup në WhatsApp ku komunikonin kryeministri Kurti me ish-kryeshefin e KEK-ut Nagip Krasniqi, doli në pah një kërkesë e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi ku ai i kërkonte Nagip Krasniqit t’ia japë tenderin një kompanie përkundër se u njoftua se “nuk i plotëson kushtet dhe duhet të përjashtohet”.
Në bisedë e sipër, Bislimi tha: “A ma mirë me i respektu specifikacionet e ma na kushtu 20 milionë më shumë për shkak të vonesave, apo me marrë dikë me direct contrat që e kryen për 60 ditë”. Një kërkese kjo e Bislimit që shkelte ligjit.
Për këtë çështje nuk foli, por Bislimi doli me një postim në Facebook mbi zhvillimet në Luginë të Preshevës.
Pas reagimit të Këshillit Kombëtar Shqiptar atje, i cili tha se disa vendime të Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Dialogun Social të Serbisë po i shkelnin të drejtat e shqiptarëve dhe se hapat e ndërmarrë nga ministria serbe përbënin “sulm frontal ndaj Këshillit Kombëtar Shqiptar”.
Zëvendëskryeministri Bislimi tha se Serbia përsëri po tenton bllokimin e përkrahjes së Qeverisë së Kosovës ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës, e tashmë edhe po bllokon funksionimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar përmes refuzimit të regjistrimit të kryetarit të ri.
“Të dyja këto janë ndërhyrje politike, shkelje e të drejtave të shqiptarëve dhe shfaqje haptazi e diskriminimit të regjimit serb ndaj shqiptarëve. Këto veprime të shtetit serb nuk janë të izoluara, por pjesë e një strategjie të vazhdueshme për të diskriminuar shqiptarët e Luginës, për të bllokuar zhvillimin e tyre ekonomik dhe për të minuar institucionet e tyre legjitime. Ndihma e Kosovës për shqiptarët e Luginës është legjitime gjersa fondet përveçse janë transparente, përbëjnë dhe mbështetje të drejtë e të nevojshme. Ndërsa bllokada ndaj funksionimit të KKSh-së, është veprim që nuk ka asnjë bazë ligjore dhe është një ndërhyrje politike me qëllim që Këshilli të mbetet jofunksional dhe i pafuqishëm për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve”.
Bislimi tha se kjo është një përpjekje e hapur për të kontrolluar institucionet shqiptare dhe për të shuar çdo zë të pavarur që kundërshton politikat diskriminuese të Serbisë. Serbia dëshiron që shqiptarët të mos kenë zë dhe përfaqësim.
“Nuk do të qëndrojmë indiferentë përballë këtyre shkeljeve. Qeveria e Kosovës nuk do të ndalë së përkrahuri shqiptarët e Luginës, pavarësisht pengesave nga ana e Serbisë, por përkundrazi do e rrisim mbështetjen vit për vit, ashtu siç edhe kemi bërë gjatë këtij mandati. Gjithashtu edhe komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë vigjilent ndaj këtyre zhvillimeve, e tentativave të radhës për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve nga regjimi shtypës serb”.