Në një reportazh të kryer nga BBC, në qytetin e shkretë tregohet se si shumë vendas filluan kërkimin me zemër të thyer të trupave të familjarëve të tyre të pajetë.
Që nga çlirimi i Buchas, shefi i policisë Vitaliy Lobas, ai i ka kaluar ditët në këtë shkollë të braktisur, ku ende varen në mure postera të nxënësve, duke koordinuar operacionin masiv për gjetjen e të vdekurve.
Një periferi, dikur paqësore dhe pak e njohur e Kievit, që tani është një skenë e tmerrshme krimi.
Zona u pushtua nga forcat ruse për një muaj teksa ata tentuan të sulmonin Kievin dhe çlirimi i saj pak më shumë, nxori në dritë një proces të ngadaltë dhe të dhimbshëm të zbulimit të tmerreve dhe trupave të pajetë të varrosur në varre masive nëpër pyje.
Rreth mesditës, erdhi një telefonatë nga Dmytro Kushnir, një zëvendës policie 24-vjeçar në një nga njësitë e Lobas, për të regjistruar një trup që ishte raportuar pas një pallati në periferi të Bucha.
Kur Kushnir mbërriti në ndërtesë, e cila qëndronte vetëm në një zonë të gjelbër të pazhvilluar në buzë të pyllit, ai gjeti dy burra pas ndërtesës në vendin ku muri rrethues i pronës ndahej me pyllin. Ata mbanin veshur doreza kirurgjikale blu dhe qëndronin mbi trupin pjesërisht të dekompozuar të një burri që dukej se ishte qëlluar në pjesën e pasme të kokës. Trupi shtrihej mbi një jorgan të bardhë, me lule të kuqe dhe ishte i rrethuar nga shishe bosh birre dhe pije alkoolike. Dorezat blu kirurgjikale fillimisht u jepnin burrave pamjen e zyrtarëve mjekësorë, por ata u prezantuan si Volodymyr dhe Serhiy Brezhnev, babai dhe vëllai i të vdekurit. I shtrirë në batanije ishte Vitaliy Brezhnev, një ish-kuzhinier 30-vjeçar, i cili, derisa erdhën rusët, jetoi një jetë paqësore me të dashurën e tij në katin e gjashtë të pallatit që tani ngrihej mbi kufomën e tij.
Volodymyr dhe Serhiy kishin humbur kontaktet me Vitaliy një muaj më parë, kur rusët morën kontrollin e Bucha dhe komunikimet u ndërprenë. Ishte e pamundur të hyje në periferi për të kontrolluar ndërtesën e tij, kështu që ata e kërkuan për një muaj në internet, më kot tentuan në rrjetet sociale për të gjetur prova se ai ishte gjallë.
Kur rusët më në fund u tërhoqën, pak më shumë se një javë më parë, Serhiy mori një telefonatë nga e dashura e Vitalit dhe ajo u tregoi historinë. Rusët kishin sulmuar ndërtesën e apartamenteve dhe kishin mësyrë në çdo apartament me një armë gjahu, tha ajo, duke kërkuar që njerëzit të dorëzonin kartat e tyre SIM dhe çelësat. Ata e morën dhe Vitaliy në dhoma të veçanta, e rrahën dhe qëlluan qenin e tij, tha ajo. Pastaj e zbritën në bodrum me një grup banorësh të tjerë dhe mbyllën derën, por Vitaliy-n e morën veçmas dhe i thanë se nuk do ta shihte më, dhe ajo nuk e pa…
Kur ushtria ukrainase e shpalli Buchan të sigurt për të rihyrë, Volodymyr dhe Serhiy u nisën për në banesën e njeriut të tyre të zemrës. Brenda, ata gjetën gjak në dysheme, në shkallët dhe fotografi personale nga banesat e njerëzve të shpërndara përreth.
Në çdo derë mund të shihje vrimat nga shpërthimet e armëve, ndonjëherë një, ndonjëherë katër ose pesë. Në një derë druri, ku brava ia kishte lënë vendin të shtënave të përsëritura, ushtarët rusë dukej se ishin të frustruar dhe kishin hapur një vrimë në mes të derës në apartament. Pas një dere tjetër, ishte e qartë se pronarët e shtëpisë kishin shtyrë një tavolinë të rëndë pas dere, në një përpjekje të dështuar për të mbajtur pushtuesit jashtë. Kur Volodymyr dhe Serhiy arritën në katin e gjashtë, panë se ishte përdorur armë edhe në derën e apartamentit 83. Nga brenda vinte një erë e rëndë. Rusët e kishin shkatërruar apartamentin dhe kishin hapur kanalet e aspirimit dhe madje edhe tubacionet e tualetit duke kërkuar para. Kur hyri në dhomën e gjumit të Vitali-t, ai pësoi goditjen, sepse shpresonte ta gjente të vëllanë gjallë. Mbi jastëk kishte një njollë të thellë gjaku, madje kishte edhe gjak të spërkatur në muret pas shtratit. Mes rrëmujës në dysheme kishte dy gëzhoja plumbash, 7.62 mm, kalibri i përdorur nga ushtria ruse në armët e tyre. Ata e kuptuan se kishte pasur një viktimë, por nuk po gjenin trupin.
Kështu Volodymyr dhe Serhiy filluan të kërkonin për Vitaliy, duke e ditur se kërkimi i tyre tani ishte ndoshta për një trup dhe jo për një djalë e vëlla që mund të përqafoheshin sërish të tre bashkë. Serhiy mbante një fotografi pasaporte të Vitaliy në dorë.
“Ne kërkuam, e kërkuam… në fillim po kërkonim fytyrën e tij…”, rrëfen i vëllai.
Pas ndërtesës, pranë pyllit, gjetën atë që dukej si varr i cekët dhe filluan të gërmojnë. U desh kohë për të zhvarrosur mbetjet atje. Së pari ata panë jorganin e bardhë me lule të kuqe, që nuk e njihnin se i kujt ishte, dhe kjo u dha pak shpresë se aty mund të ishte një trup tjetër… Por kur e nxorën trupin, panë se brenda jorganit, ishte një perde nga banesa e Vitalit. Pastaj panë këpucët, dhe ato këpucë i njihnin. Por errësira po binte dhe ata duhej të ishin në shtëpi para orës policore, kështu që e mbuluan trupin me çarçaf, ndërsa aty pranë tij lanë ndezur shpresën.
“Sot ishte prekja e fundit. Sot ia hoqëm këpucët dhe i pamë këmbët”, tha Serhiy të nesërmen, teksa i zbuluan plotësisht trupin.