Ish-emisari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka kritikuar Qeverinë e Albin Kurtit duke thënë se ajo nuk ishte një partnere e besueshme për administratën e Donald Trumpit.
Shkrimi i Grenell, është shpërndarë nga Donald Trump Jr, djali i ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump duke shënuar kështu një goditje ndaj Kurtit, shkruan Insajderi.
“Kam shumë miq në Kosovë dhe Shqipëri… dhe shumë miq në Serbi dhe në të gjithë rajonin. Administrata Trump ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë për paqen në Ballkan. Por ne kemi nevojë për partnerë të besueshëm. Qeveria e Kurtit nuk ishte e tillë.”, ka shkruar Grenell në platformën “X”.
Ditë më parë, Grenell u shpreh se Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në, ishte kundër çdo ideje të propozuar nga amerikanët.
Ai vuri në dukje se kompanitë amerikane po investojnë në Shqipëri dhe Serbi, por po anashkalojnë Kosovën për shkak të politikave të Kurtit.
“Kurti ka qenë kundër çdo ideje të propozuar nga SHBA-ja, pavarësisht nëse ka qenë në pushtet Clinton, Bush, Obama, Biden apo Trump,” shtoi Grenell.
“Retorika e Kurtit tani, duke pretenduar se është i afërt me SHBA-në dhe se qeveria e tij është më e mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është absolutisht e rreme. Mos u mashtroni,”.
Këto deklarata vijnë në një moment kritik të fushatës zgjedhore, duke nxitur debate të reja rreth politikave ndërkombëtare të Kurtit dhe marrëdhënieve të Kosovës me SHBA-në.