Barrikada të reja janë vendosur në fshatin Çabër në veri të Mitrovicës.
Ndonëse vazhdimisht është bërë thirrje nga ndërkombëtaret dhe institucionet vendore për heqjen e barrikadave të cilat ishin vendosur me 10 dhjetor fillimisht në Rudarë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, përkundrazi shihen të jenë vendosur barrikada të reja.
Asambleja Parlamentare e NATO-s ka kërkuar të mërkurën heqjen e menjëhershme të barrikadave.
Edhe Ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe në Beograd kanë dalë me një deklaratë të përbashkët ku kanë kërkuar që barrikadat të hiqen.
Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kanë deklaruar se KFOR-i u ka kërkuar kohë për heqjen e tyre. Sveçla në anën tjetër ka thënë se Policia e Kosovës i ka të gjitha kapacitetet për largimin e barrikadave.
Një situatë e tillë ka ardhur pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq nga radhët e komunitetit serb.
Pas vendosjes së barrikadave, ka pasur edhe gjuajtje me armë dhe shok-bomba ku një polic i Kosovës ka mbetur i plagosur.
Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se të enjten (sot) do t’i kërkojë NATO-s vendosjen e ushtrisë serbe në Kosovë.