Senatorët Joni Ernst dhe Gary Peters i kanë dërguar letër Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në lidhje me të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Në letrën e tyre, senatorët i kërkojnë Sekretarit të Shtetit që të ngritë temën e çështjes shqiptare në Luginë në secilin komunikim apo takim me autoritetet serbe.
Letrën e ka publikuar anëtari i bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane Faton Bislimi, në faqen e tij të Facebook.
“Letra potencon faktet tanimë të vërtetuara ndërkombëtarisht — qoftë përmes Raporteve të vet Departamentit të Shtetit apo edhe Rezolutës së Parlamentit Evropian të Majit 2023 — për diskriminimin shtetëror ndaj shqiptarëve në Luginë, me theks të veçantë, pasivizimin e adresave si metodë administrative e spastrimit etnik”, ka shkruar Bislimi.
Tutje, në letër kërkohet realizimi i Planit Shtatëpikësh për të drejtat shqiptare në Luginë i pranuar edhe nga Serbia qysh më 2013. “Që nga ajo kohë, qeveria në Beograd ka bërë progres të limituar në implementimin e këtij plani. Asnjë nga pikat prioritare të planit nuk është realizuar në tërësi, e tek përfaqësimi në institucione qeveritare, nuk ka pasur aspak progres”, thuhet në letër.
“Ky plan është rruga diplomatike përpara për një komunitet që ka vuajtur kaq shumë nga të gjitha konfliktet e viteve të 1990-ta e tutje,” dhe përderisa Senatorët përkahin procesin e dialogut (në mes Kosovës e Serbisë), ata po ashtu besojnë se “zgjidhja e drejtë e kërkesave legjitime të shqiptarëve etnikë në Luginë të Preshevës është çelësi për stabilitet dhe paqe afatgjatë në rajon,” përfundojnë letrën e tyre Senatorët Peters dhe Ernst!
Letra senatoriale vjen pak muaj pas letrës kongresionale të Kongresistëve Himes e Torres, po ashtu për Luginën, drejtuar Sekretarit Blinken.