Të shtunën qytetarët e Mitrovicës së Veriut janë zgjuar zyrtarisht me kryetar të ri. Por jo siç janë mësuar më parë, të përfaqësuar nga Lista Serbe.
Një ditë pasi Erden Atiq i Lëvizjes Vetëvendosje dha mori zyrtarisht detyrën e re dhe pasi u vendos flamuri i Kosovës, pati pak lëvizje në sheshin kryesor të qytetit.
Ndonëse subjekti kryesor i serbëve kundërshtoi betimin e Atiqit, ka qytetarë të këtij komuniteti që po presin të shohin punën e kryetarit nga partia shqiptare.
“Nuk mundemi me ditë a jemi të kënaqur me të përderisa nuk ia kemi parë punën. Presim ta shohim punën e tij”, ka theksuar një qytetarë serb.
Ndërsa një tjetër qytetar serb nuk ndihet i përfaqësuar nga kryetari i ri.
“Nuk mendoj qe e përfaqësohemi nga ai kryetar. Pres qe te ndryshohet kjo situate dhe te behet me mirë këtu”, ka thënë një qytetar serb.
Megjithatë ka edhe shqiptarë që jetojnë në anën veriore dhe që nuk pajtohen e zgjedhjet e Atiqit.
“Po çfarë kryetari more. Ku ka kryetar me 3 %. Kërkun në botë nuk ka kryetar me 3%”.
Kurse biznesmeni Nehat Jusufi nga “Lagjja e Boshnjakëve” pret bashkëpunim më të madh nga kryetari i ri i tyre.
“Presim shumë ndryshime prej tij meqë është shqiptar se Rakiqi sa ka qenë këtu nuk na ka ndihmu neve hiç, e prej tij presim shumë sene dhe besoj që kena përkrahje prej tij, e nuk do të kemi pakënaqësi a diçka”, ka thënë Jusufi.
Ndërkohë asamblistë të Kuvendit komunal thonë se ka qytetarë të komunitetit serb kanë nisur t’i drejtohet komunës me kërkesa për çështje të ndryshme.
“kemi pas kërkesa shumë prej qytetarëve nga të gjitha komunitetet për përvojat dhe kërkesat e tyre. Sidomos kemi pas nga komuniteti serb, tash e kemi edhe ekzekutivin tash e kemi edhe kryetarin e Komunës dhe pritet që së shpejti të zgjidhen edhe drejtorët dhe do të jemi gjithmonë afër qytetarëve”, ka thënë asamblisti, Betim Osmani.
Pas Atiqit, betimin presin që ta japin edhe kryetarët tri komunave tjera në veri, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, por data e mbajtjes së ceremonive akoma nuk është caktuar.
Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka bërë të ditur se pret nga kryetarët e zgjedhur që të propozojnë një datë, që më pas ministria të merret me organizimin./Dukagjini/