Njësitet Speciale të Policisë sot arritën t’i arrestojnë shtatë persona, që janë të dyshuar për planifikimin dhe vrasjen e rreshterit Muhamed Lika.
Rreth këtij aksioni detaje kanë dhënë kryeprokurori i Ferizajt Burim Çerkini si dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë Gazmend Hoxha.
Hoxha tha se disa nga të dyshuarit ishin arrestuar edhe në rastin e djegies së gjykatës në Kaçanik.
“Rreshteri ynë ka qenë në detyrë zyrtare kur kanë ndodhur këto raste dhe pastaj ka punuar në mbështetje të hetimeve të policisë në ndriçimin e këtyre rasteve. Domethënë këta janë persona të dyshuar që kanë qenë të arrestuar më herët në rastin e pamfletëve dhe djegien e gjykatës në Kaçanik”, deklaroi Hoxha gjatë konferencës së jashtëzakonshme për media.