KEDS-i sot po bën aksione intensive në përcjellje edhe të Policisë së Kosovës kundër keqpërdorimeve të energjisë elektrike.
Në aksionin e e sotëm në Prishtinë, janë zënë pesë biznese duke e vjedhë rrymën.
“Me intensifikimin e kontrolleve për keqpërdorimin e energjisë elektrike, është shtuar edhe numri i rasteve të kapjes së keqpërdoruesve të rrymës”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.
“Në të gjitha rastet bëhej fjalë për anashkalim të njehsorit elektrik, që nënkupton se energjia elektrike që konsumohej nga këto biznese, vidhej”.
“Pasoja e parë me të cilën do të ballafaqohen këto biznese është Rikthimi i Humbjeve të shkaktuara ndaj KEDS-it. Sipas rregulloreve në fuqi, për biznese përllogaritja e humbjeve të shkaktuara bëhet sipas fuqisë së pajisjeve që kanë qenë të lidhura në të zezën, në një afat prej një viti pune”.
“Vitin e kaluar, për shembull, një biznes që është kapur duke e keqpërdorur energjinë elektrike, është detyruar t’ia rikthejë KEDS-it mbi 50 mijë euro në kuadër të llogaritjes së Rikthimit të Humbjeve”.
KEDS-i po ashtu thotë se ky keqpërdorim është i dënueshëm edhe me ligj, dhe pronarët do të ballafaqohen me proces gjyqësor.
“Keqpërdorimi i energjisë elektrike, përveçse i papranueshëm, është edhe i dënueshëm sipas ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës. Tashmë pronarët e këtyre bizneseve do të ballafaqohen me një proces të pashmangshëm gjyqësor, ku do të mundë të dënohen me gjobë ose me burg deri në tri vjet. Sepse, vjedhja e energjisë elektrike, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, hyn në kuadër të Vjedhjes së Shërbimeve”.
“KEDS shfrytëzon rastin të informojë të gjithë konsumatorët-shtëpiakë e komercialë, se ka intensifikuar kontrollet për keqpërdorimin e energjisë elektrike, ditën e natën, anembanë Kosovës”.
“Kompania mbetet e përkushtuar të luftojë fenomenin e keqpërdorimit të energjisë elektrike, dhe vazhdon të ketë tolerancë ZERO ndaj të gjithë atyre që joshen të bëjnë një gjest të tillë të shëmtuar”