Historia e funksionimit të institucioneve të diplomacisë kosovare regjistron edhe raste kur ambasadorë të Republikës së Kosovës janë shkarkuar nga pozita e tyre për shkak të gjuhës që kishin përdorur.
Kështu kishte ndodhur në vitin 2014 me Xhafer Ahmetin, i cili atë kohë kishte qenë ambasador i Kosovës në Mal të Zi dhe ishte shkarkuar nga pozita për shkak të fyerjeve që kishte bërë ndaj Sali Berishës, atë kohë kryeministër i Shqipërisë, shkruan Express.
Ky nuk ka qenë rasti i vetëm kur një zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme është lëshuar në kritika dhe qëndrime personale. Edhe Albert Prenkaj në cilësinë e Drejtorit të MPJ-së kishte shprehur qëndrimet e tij personale dhe e kishte cilësuar Edi Ramën si “autokrat” në kohën kur po diskutohej më shembjen e objektit të Teatrit Kombëtar të Shqipërisë.
Një postim i tillë nga Prenkaj kishte ndodhur në maj të vitit 2020, edhe përkundër faktit se kishte qenë vetë Prenkaj që në tetorin e vitit 2019 u kishte dërguar një email ambasadorëve ku u kërkonte kujdes për deklarimet nëpër rrjete sociale dhe i njoftonte se kushdo që nuk përfill një udhëzim të tillë do të procedohet për shkelje disiplinore.
Ngjarje të tilla duket se kanë detyruar MPJ-në që të nxjerrë shpesh edhe rregullore e madje të lëshojë edhe qarkore për atë se si zyrtarët dhe shërbyesit e jashtëm të përdorin rrjetet sociale.
Por çfarë do të ndodhë me rastin e zyrtarit të kësaj ministrie që shërben në Ambasadën e Kosovës në Shkup, Prindon Sadriu, e i cili në vazhdimësi fyen mediat dhe gazetarët. A do të merren masa ndaj Zotëriut të Parë, tashmë kur ky dikaster udhëhiqet nga Donika Gërvalla e Listës GUXO?
Sadriu hiq më larg se të martën në mbrëmje, i ka quajtur gazetarët si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, pas raportimeve në media për shpenzimet për udhëtime që Vjosa Osmani kishte bërë gjatë kohës sa kishte qenë deputete në Kuvendin e Kosovës.
Por, ky nuk ka qenë rasti i vetëm kur Sadriu ka përdorur gjuhë të tillë ndaj gazetarëve.
Në një qarkore që mban datën 20 gusht të vitit 2020 e që është lëshuar nga Arben Rugova, si zëvendësues i Drejtorit të Divizionit për Komunikim Publik, e që vlente vetëm për udhëheqësit e Misioneve Diplomatike të Shërbimit të Jashtëm, specifikohen shumë qartë se si duhet përdorur rrjetet sociale.
Aty udhëzohen punonjësit e shërbimit të jashtëm që të kursehen nga shprehja e mendimeve private, pasi që nuk ka rëndësi se cili është qëllimi i punonjësit por se si një qëndrim i tillë interpretohet nga publiku.
“Çdo deklaratë, prononcim ose ‘postim’ në mediumet sociale, të cilën e bën një pjesëtar i Shërbimit të Jashtëm ose person tjetër që kryen ndonjë detyrë ose funksion për Shërbimin e Jashtëm, mund të interpretohet nga publiku si qëndrim zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës ose të paktën t’i atribuohet Ministrisë si i tillë. Nuk është me rëndësi se çfarë qëllimi ndjek punonjësi i Shërbimit të Jashtëm kur e bën një ‘postim’, por, se si interpretohet dhe perceptohet ky ‘postim’ nga publiku. Kjo vlen edhe për të gjitha rastet kur ndonjë deklaratë, prononcim ose ‘postim’ privat shënohet si ‘mendim personal’, por, ka të bëjë drejtpërdrejtë me çështje që janë në kuadër të fushëveprimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Shërbimin e Jashtëm ose në përgjithësi me politiken e jashtme të Republikës së Kosovës”, thuhet në këtë qarkore.
Pika shtatë e kësaj qarkoreje të MPJ-së, thekson se mos zbatimi i rregullave të vendosur anë qarkore, konsiderohet si shkelje disiplinore.
“Përndryshe, mos zbatimi i rregullave të përcaktuara me këtë qarkore do të konsiderohen si shkelje disiplinore dhe do të procedohen menjëherë si të tilla. Për personat e përcaktuar në pikën 2 të kësaj qarkore, të cilët nuk janë pjesëtar të Shërbimit të Jashtëm në cilësinë e shërbyesve civil, mos zbatimi i rregullave sipas kësaj qarkore do të konsiderohet si shkelje esenciale e kontratës dhe do të merret si shkak për shkëputjen e menjëhershme të angazhimit me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës”, thuhet në pikën shtatë të qarkores.