Ish-diplomati i njohur austriak, Jan Kickert, ka filluar ditën e sotme dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Hagës.
Në mesin e pikave më të diskutuara, ishte raporti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me Lidhjen Demokratike të Kosovës, situata deri në marrëveshjen e Rambujesë dhe takimet e diskutimet që kishte Kickert me eprorët e UÇK-së.
Duke folur për raportet mes LDK-së dhe UÇK-së, Kickert deklaroi se Lidhja Demokratike e Kosovës e shihte UÇK-në si rivale. Sipas tij, në fillim edhe Grupi i Kontaktit kishte dilema për ta përfshirë UÇK-në.
“Po. Kishe hezitim nga disa diplomatë amerikanë për të përfshirë UÇK-në. Ishte qëndrim i Grupit të Kontaktit. Rusët nuk e donin të përfshirë UÇK-në”, tha Kickert.
“A iu kujtohet nëse LDK-ja ka pasur kërkesë për përjashtimin e UÇK-së?”, e pyeti avokati Misetiq dëshmitarin.
“LDK-ja nuk kishte qasje miqësore ndaj UÇK-së. Në fillim mohuan ekzistencën e LDK-së. Kishte përplasje, fërkime”, tha ish-diplomati austriak.
“Kur thoni LDK nuk kishte qasje miqësore, për çka e ki fjalën?”, e pyeti sërish avokati Misetiq.
“Ishin rival politik”, tha Kickert.
“Pse LDK-ja e perceptonte UÇK-në si rival?”, e pyeti sërish avokati i Thaçit.
“Kërcënim ndaj monopolit të tyre politik”, u përgjigj diplomati.
Më tutje, mbrojtja e Thaçi shprehu interesim rreth raportit të Thaçit me Grupin e Kontaktit.
“A do të thonit ju që Thaçi ishte personi që po tentonte të gjente zgjidhje politike apo ushtarake?”, e pyeti avokati.
“Ai ishte pika jonë e kontaktit për zgjidhje politike”, tha diplomati austriak.
Pyetjet e radhës ishin për presionin në të cilin gjendej Thaçi, gjatë konferencës së Rambujesë.
“Roli juaj në Rambuje ka qenë të ndërlidheshit me delegacionin e Kosovës, dhe t’i raportonit ambasadorit Petritsch. Keni thënë që përshtypja juaj ka qenë se para nënshkrimit, Thaçi duhej të konsultohej me disa njerëz, dhe nuk guxonte të nënshkruante pa folur me ta?”, pyeti Misetiq.
“E saktë”, u përgjigj Kickert.
Misetiq e pyeti për një raport autorial diplomatin e njohur.
“Është raport që kam përpiluar në fund të bisedimeve në Rambuje. Në kllapa kam shkruar se Thaçi nuk ishte të merrte përsipër përgjegjësinë”, tha Kickert.
“Më poshtë thoni që ai nuk ishte në gjendje të merrte përgjegjësinë mbi supe që i ishin vënë nga ndërkombëtarët dhe komandantët në terren?”, e pyeti avokati Misetiq.
“Kjo ishte përshtypja ime, ai ishte në komunikim telefonik dhe ajo që vërejtëm, vlerësimi ynë ishte se ai ishte në presion të jashtëzakonshëm të mos nënshkruante marrëveshjen”, deklaroi Kickert.
“Kush ia bënte presionin?”, pyeti avokati.
“UÇK-ja dhe Adem Demaçi që ishte përfaqësues politik. Sollëm fituesin e Nobelit për letërsi ta bindim, por ai nuk ishte në pozitë ta nënshkruante”, tha diplomati austriak.
“A e dinit pse komandantët refuzonin nëshkrimin?”, ishte pyetja e avokatit.
“Përfshinte edhe zhbërjen e UÇK-së”, deklaroi ai.
Problemi kryesor pse komandantët e zonave ishin kundër të nënshkruhet marrëveshja në Rambuje, ndërlidhej me zhbërjen e UÇK-së.
“Ai kishte rrezik të shihej si tradhtar i UÇK-së. Nuk ishte i sigurt as për jetën e tij kur të kthehej. Ishte në presion të lartë, dhe nuk ishte në pozicion të merrte vendime”, tha diplomati austriak.
“Ishte në presion të jashtëzakonshëm nga të gjitha anët”, deklaroi ai.
“Thaçi nuk kishte autoritetin të nënshkruante në emër të UÇK-së?”, ishte pyetja e radhës nga mbrojtja.
“E saktë”, deklaroi dëshmitari.
Kickert kishte punuar kohë të gjatë në Kosovë, edhe si këshilltar i Wolfgang Petristich.
Temë diskutimi në këtë seancë ishte edhe një fotografi në Rambuje, ku Prokuroria thoshte se Jakup Krasniqi e ka gërvishtur portretin e Ibrahim Rugovës.
Duke ditur se fotografia u gjet në shtëpinë e Jakup Krasniqit, prokurori e akuzoi këtë të fundit.
Megjithatë mbrojtja e mohoi.
“Me sa kam unë dijeni, kjo është marrë nga një album fotografik nga shtëpia e Jakup Krasniqit. Është një prej shumë fotografive, por asnjë nga fotografitë e tjera nuk është e gërvishtur dhe e dëmtuar si kjo fotografi. Ne mendojmë se kjo fotografi është dëmtuar sepse reflekton ndjesinë që ka pasur ky i akuzuar kundrejt këtij personi, armiqësinë pra”, tha prokurori Capin, duke shtuar se mendojnë që këtë gjë e ka bërë Krasniqi.
Ellis tha se ajo ka efekt paragjykues pasi që nuk dihet se në çfarë rrethanash është gjetur në shtëpinë e Krasniqit.
“E kundërshtojmë për shkak se nuk ka relevancë dhe nuk ka asnjë vlerë provuese. Sipas nesh, ky nuk është një dokument që shërben për t’i identifikuar anëtarët e delegacionit të Rambujesë sepse trupi gjykues ka shumë materiale në lidhje me Rambujen, por ky është paragjykues si dokument sepse është gërvishtur fotografia e Ibrahim Rugovës, kjo është e vërtetë. Prokuroria nuk është në gjendje ta thotë kush e ka gërvishtur fotografinë e tij, kur është gërvishtur fotografia e tij dhe jam i bindur që prokurori do të thotë që ky është një dokument që është gjetur gjatë bastisjes së shtëpisë së zotëri Krasniqi”, tha Ellis.