Ambasadorët e Francës dhe Gjermanisë në Beograd, Pierre Cochard dhe Anke Konrad, në një intervistë të përbashkët për gazetën serbe “Danas”, kanë folur për planin e BE-së, mbështetur nga vendet e tyre, si dhe për raportet Kosovë-Serbi.
Ata thanë se synim i këtij plani është normalizimi i marrëdhënieve mes dy fqinjëve, duke shtuar se për të ka unitet të madh mes BE-së dhe SHBA-së dhe se udhëheqësit e vendeve janë të informuar mirë për këtë.
“Bëhet fjalë për mbështetjen reale të ndërmjetësimit të vazhdueshëm evropian, frymëmarrjen e një dinamike të re politike dhe vënien sërish në tavolinë të objektivave themelore që janë të qarta: normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicës serbe në Kosovë”, thanë ata.
Dy ambasadorët komentuan edhe krizën e fundit në veri të Kosovës, ndërsa thanë se opsioni i një konflikti të ri as që duhet imagjinuar.
Danas: Si ndryshon propozimi franko-gjerman për zgjidhjen e çështjes së Kosovës nga ai amerikan?
Ambasadorët: Në mes të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ekziston një unitet i madh i pikëpamjeve për çështjen e Kosovës, për të cilin Beogradi dhe Prishtina janë plotësisht të vetëdijshëm. Është një element thelbësor në zgjidhjen e kësaj krize, për të cilën të gjithë shprehim kënaqësinë. Në çfarë konsiston iniciativa franko-gjermane që ju përmendni? Bëhet fjalë për mbështetjen reale të ndërmjetësimit të vazhdueshëm evropian, frymëmarrjen e një dinamike të re politike dhe vënien sërish në tavolinë të objektivave themelore që janë të qarta: normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicës serbe në Kosovë, transmeton Gazeta Express.
Danas: Në mes Serbisë dhe Gjermanisë ka një shtrëngim të vazhdueshëm të marrëdhënieve, por jo mes Serbisë dhe Francës. Si e shpjegoni këtë dhe ku i shihni shkaqet e acarimit të marrëdhënieve, pasi Franca dhe Gjermania propozuan bashkërisht një plan për zgjidhjen e çështjes së Kosovës?
Ambasadorët: Gjermania dhe Franca kanë marrëdhënie të ngushta dhe të forta me Serbinë, të cilat edhe nëse kanë burime të ndryshme, janë pjesë e të njëjtit kornizë europiane dhe synojnë t’i mundësojnë Serbisë t’i bashkohet realisht familjes së madhe evropiane.
Danas: Me vendosjen e barrikadave në veri të Kosovës, ishim shumë pranë një konflikti të armatosur mes Serbisë dhe forcave policore ushtarake ndërkombëtare dhe të Kosovës. Çfarë prisni se në cilin drejtim do të zhvillohet situata?
Ambasadorët: Serbia dhe misionet evropiane dhe ndërkombëtare të dislokuara në veri të Kosovës nuk duhet të vendosen në anët e kundërta. Përkundrazi, shprehim kënaqësinë tonë për koordinimin e mirë që u krijua midis të gjithë aktorëve, veçanërisht nën kujdesin e Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit special Miroslav Lajçak, që bëri të mundur qetësimin e situatës në terren në fund të dhjetorit. Përveç kësaj marrëveshjeje, tani është urgjente të ndërmerren hapa të rinj: duke zbatuar marrëveshjet e nënshkruara, duke përfshirë krijimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe dhe kthimin e serbëve në institucione, si dhe duke trajtuar të gjitha çështjet që mbeten mbi tavolinë.
Danas: Sa është mundësia e një konflikti të armatosur në Kosovë në të ardhmen?
Ambasadorët: Askush nuk mund ta imagjinojë një opsion të tillë, që sigurisht do të ishte një fatkeqësi për njerëzit që jetojnë atje dhe për kontinentin tonë.