Më 9 shkurt të 2021-ës, Albin Kurti atëkohë kandidat për kryeministër u zotonte se hajnat, ata që sipas tij i bënë dëme këtij vendi do të përfundojnë në burg, ndërsa sot, kryeministër i vendit burgjet po i lëshon me qira për hajna, veçse ata të Danimarkës.
“Hajnat në burg, Dubrava 12 katë”, thoshte Kurti teksa paralajmëronte burgimin e hajnave. E sot, Kosova dhe Danimarka e kanë nënshkruar marrëveshjen që ia jep kësaj të fundit 300 qeli me qira në qendrën korrektuese të Gjilanit.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e nënshkroi marrëveshjen me ministrin danez të Drejtësisë, Nick Hækkerup, i cili erdhi në Prishtinë pikërisht për këtë çështje.
Në ceremoninë e nënshkrimit në Qeverinë e Kosovës ishin të pranishëm edhe përfaqësues tjerë nga Mbretëria e Danimarkës si dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Haxhiu tha se me këtë marrëveshje Kosova është vlerësuar lidhur me aspektin e sundimit të ligjit, dhe për këtë arsye është pëzgjedhur për ta nënshkruar atë.
Në qendrën korrektuese do të vendosen 300 të burgosur në një afat 5+5”, deklaroi shkurt Haxhiu. Tha se detajet e hollësishme të marrëveshjes do të jepen më vonë.
Ministri i Brendshëm i Danimarkës tha se nga marrëveshja do të përfitojnë të dy palët.
“Marrëveshja ka filluar të dialogohet nga Qeveria e kaluar mirëpo është vazhduar me Qeverinë aktuale. Kjo marrëveshje në masë të madhe do t’i zgjidhë problemet e Danimarkës”, deklaroi Hakerup.