Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka vizituar sot familjarët e udhëheqësve të Ushtrisë Çlirmtare të Kosovës të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë të Holandës tash e dy vite.
Krasniqi përmes një postimi në Facebook, tha se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë personalitete të ralla, veprimtaria e të cilëve e kalon të zakonshmen.
“Janë disa personalitete, të ralla gjatë historisë, emri dhe veprimtaria e të cilëve e tejkalon të zakonshmen. Të tillët, mund edhe t’i burgosësh, por s’mund t’ua mohosh prezencën. Të tillë janë edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Megjithëse për familjet e tyre nuk ka qenë asnjëherë e lehtë, e nuk është as sot, e di dhe jam i bindur që nuk do të ndërronin asnjë hap të veprimtarisë së familjarëve të tyre heronj”, ka shkruar Krasniqi.
Ai tha se respekti dhe nderi më i madh që mund të iu bëhet drejtuesve të UÇK’së është ndërtimi i shtetit, fuqizimi dhe integrimi.
“Sot, është obligim i ynë që, deri kur t’i kemi përsëri fizikisht në mesin tonë, ta vazhdojmë ëndrrën dhe punën për shtetndërtim, fuqizim dhe integrim. Ky është respekti dhe nderimi më i madh që mund t’u bëjmë emrave të tyre, sakrificës së tyre, familjeve të tyre. Këtë ua thash edhe familjarëve të tyre të respektuar gjatë vizitave të sotme te ta”.
“Dielli do të lind përsëri”, përfundoi Krasniqi.