Konfliktet mes anëtarëve të familjes në qytetet e ndryshme të vendit, jo rrallëherë përfundojnë me sharje e ofendime ndaj njëri-tjetrit. Ata madje shpesh herë eskalojnë në kërcënime e përleshje fizike, duke u dashur kështu intervenimi i Policisë për të zgjidhur telashet, raporton Gazeta Sinjali.
Në një sherr janë futur edhe anëtarët e familjes Karaxha në rrugën “Kurtish Hasani” në Prizren , ku një burrë bashkë me të birin dyshohen se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj gruas/nënës.
Kështu kanë bërë të ditur burimet nga Prokuroria dhe kanë njoftuar se viktima është sulmuar fizikisht nga burri dhe djali i tyre, të cilët më pas kanë ikur nga shtëpia.
Gruaja që u rrah është dërguar në spital për trajtim mjekësor, si pasojë e lëndimeve që ka pësuar, ndërsa të dyshuarit pas një periudhe të shkurtët kanë vendosur të dorëzohen në Polici, ku kanë dhënë deklaratat e tyre në lidhje me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.