Rastet e dhunës në familje sa vijnë e shtohen çdo ditë e më shumë në vendin tonë. Zakonisht viktima janë gratë të cilat përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga familjarët e tyre, të cilët pa hezitim i rrahin ato, raporton Gazeta Sinjali.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar dje edhe një vajzë e mitur në Prizren, e cila ka deklaruar se është viktimë e dhunës të cilën ia shkakton vëllai i saj më i madh.
Sinjali mëson se e gjithë kjo ka vazhduar në mënyrë sistematike për një kohë të gjatë, teksa në rastin e fundit teksa i dyshuari ka ushtruar dhunë ndaj motrës së tij, me anë të goditjeve i ka shkaktuar lëndime serioze duke i çarë buzën me boks.
Gjithë dëshminë vajza e mitur e ka dhënë në praninë e nënës së saj, ndërkohë që ka marrë ndihmë mjekësore edhe në spital.
Njësitë policore menjëherë pas denoncimit kanë arrestuar të dyshuarin, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.