Thirrjet po bëhen për “asnjë më shumë”, ndërkohë që sot një grua vdiq pas vrasjes makabre ku i dyshuar është bashkëshorti i saj. Fushata globale e 16 ditëve të aktivizimit, e gjeti Kosovën me edhe një viktimë të dhunës. Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka deklaruar se nuk duhet të ketë më tolerime për dhunuesit, e as për gjyqtarët e prokurorët.
Fjalimi i saj nisi me ngushëllimet për familjet e thirrje për drejtësi nga ana e autoriteteve.
Osmani ka thënë se rasti i fundit i vrasjes së një gruaje mëngjesin e sotëm, ka tronditur shoqërinë dhe se fenomeni i dhunës mbi baza gjinore mbetet prezencë në familje.
“Sot të gjithë pranuam edhe një lajm të kobshëm në mëngjesin e hershëm një burrë vrau gruan në mënyrën më makabre duke na alarmuar të gjithëve që fenomeni i dhunës në baza gjinore mbetet jashtëzakonisht prezent në shoqërinë tonë. Në këto çaste ne ndajmë dhimbjen dhe shprehim ngushëllimet me të sinqerta për jetën e humbur të bashkëqytetares sonë”, ka deklaruar ajo.
Madje, Osmani e ka quajtur pandemi dhunën mbi baza gjinore, ku tha se kjo mbetet një prej shkeljeve më flagrante të të drejtave të njeriut.
“Nuk mund të ketë tolerancë më për gjykatës e prokurorë neglizhues sepse përballë krimit nuk mund të ketë kompromis e as rrethana lehtësuese, nuk mund të ketë mirëkuptim për dhunuesit sepse për dhunë mirëkuptim nuk ka”.
“Nuk do të pranojmë më argumente për mungesë kapacitetesh sepse përballë një emergjence nacionale siç është dhuna në baza gjinore duhet luftuar me çdo resurs e çdo kapacitet që e kemi në dispozicion”, ka shtuar presidentja.
Më tej, në hapjen e fushatës globale, ajo ka thënë se luftimi i dhunës mbi baza gjinore do të jetë në krye të agjendës së këshillit për demokraci dhe të drejta të njeriut pranë zyrës së saj.
Osmani po ashtu u ka bërë thirrje të gjitha viktimave që të raportojnë rastet e dhunës, por për këtë ka thënë se institucionet duhet t’u ofrojnë atyre siguri.
Ndryshe, Ministria e Drejtësisë ka nisur fushatën 16 ditore Kundër Dhunës me Bazë Gjinore, fushatë e cila synon realizimin e aktiviteteve të ndryshme, me qëllim parandalimin parandalimin e dhunës dhe trajtimin e rasteve me seriozitet.
Kujtojmë që në mëngjesin e së premtes, opinioni u trondit nga një ngjarje e rëndë që ndodhi në Prishtinë. Bëhet fjalë për vrasjen e mësueses së gjeografisë, Sadije Godeni, 63 vjeçe, nga burri i saj.
Mësuesja e gjeografisë, 63-vjecarja Sadije Godeni, u gjet e vrarë mizorisht në shtëpinë ku jetonte me burrin e saj 70-vjeçar. E i dyshuari për vrasjen e mësueses, është pikërisht burri i saj, Izet Godeni i cili u vetëdorëzua sot në polici.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.