Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në vazhdën e vizitës zyrtare në Tiranë ka takuar Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. PDK njofton se në këtë takim është diskutuar për ndërtimin e mëtutjeshëm të raporteve në mes të Kosovës dhe Shqipërisë dhe për thellimin e bashkëpunimit institucional mes dy vendeve.
Krasniqi përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, u shpreh se takimet me Kryeministrin Rama, më shumë sesa zyrtare, gjithmonë janë miqësore e vëllazërore.
Edhe sot, në vizitën time të parë zyrtare në Shqipëri në cilësinë e Kryetarit të PDK-së, kisha kënaqësinë të takoj Kryeministrin Edi Rama, për një drekë pune. Me Kryeministrin Rama diskutuam për ndërtimin e mëtutjeshëm të raporteve në mes të Kosovës dhe Shqipërisë dhe për thellimin e bashkëpunimit tonë institucional. Të dy u pajtuam për nevojën e një dinamike të re politike në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, për të përshpejtuar proceset dhe marrëveshjet e dakorduara më parë.”, tha Krasniqi.
Krasniqi u shpreh se me Kryeministrin Rama diskutuan edhe për rolin dhe faktorizimin e shqiptarëve në Ballkan dhe për procesin e integrimit euro-atlantik të të dy shteteve tona.
Kosova dhe Shqipëria janë me fat që kanë mbështetjen e pakushtëzuar të njëra-tjetrës, në rrugën përpara drejt zhvillimit dhe integrimit.”, tha ai.