Ministria e Arsimit këtë konkurs për punësimin e inspektorëve të arsimit e kishte hapur më 23 nëntor të vitit të kaluar.
Afati për të aplikuar kishte përfunduar më 7 dhjetor.
Kandidatët madje ishin testuar me shkrim, iu ishte vlerësuar biografia dhe ishin intervistuar.
Por, punësimi i tyre nuk ndodhi kurrë.
Informacionet e televizionit se konkurs ka dështuar në fazën e fundit, i ka konfirmuar Ministria e Arsimit.
“Me kërkesën tonë Ministria e Punëve të Brendshme ka hapur konkursin dhe kanë përfunduar të gjitha procedurat por pastaj që Komisioni ka vlerësuar që ka pasur disa shkelje ose hapa në procedurë që nuk kanë shkuar në rregull kështu që me rekomandimin e tyre është anuluar konkursi”, ka thënë zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku.
Dikasteri që e anuloi këtë konkurs, Ministria e Punëve të Brendshme, në kudër të së cilës funksionon departamenti për Administratë Publike, nuk iu përgjigj televizionit për shkeljet të cilat i ka evidentuar e që kanë çuar në anulim të konkursit.
Gjithsesi, rekrutimi i inspektorëve të arsimit pritët të ndodhë së shpejti.
“Ne presim që në javët në vijim t’i kthehemi prapë kësaj pune dhe të vazhdojmë para me rekrutimin e inspektorëve sepse e kemi shumë të rëndësishme ata të jenë në sistem sa më parë”, ka shtuar Maloku.
Por, për ngritja e cilësisë në arsim sipas ekspertit, Rinor Qehaja nuk varet nga numri i inspektorëve.
“Neve edhe po të kishim mbi 100 inspektorë dhe atë të rekrutuar ndër vite, prapë për të përfunduar numri I inspektimeve në shkolla do të nevojitej për disa dekada pra, kjo është e paarritshme mirëpo kjo na kujton domosdoshmërinë që duhet me i rishiku legjislacioni për vlerësim të përformancës të mësimdhënësve në mënyrë që ai vlerësim të jetë i ndërlidhur me organet brenda vet institucionit të shkollës” , ka thënë Qehaja.
Në gjithë territorin e Kosovës, vetëm 29 inspektorë monitorojnë institucionet arsimore.