Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Nasim Haradinaj, ka zbuluar një emër tronditës, për të cilin ka thënë se ka qenë dëshmitar në Gjykatën Speciale të Hagës.
Haradinaj ka thënë se në mesin e dëshmitarëve atje, ka qenë edhe famëkeqi Muharrem Ibraj. Për ata që nuk e njohin, Ibraj është i akuzuar për krime të luftës ndaj shqiptarëve, dyshohet për vrasje e dhunime, dhe ai kishte dëshmuar pro Sllobodan Millosheviqit në Hagë.
“Shiko, rasti i Sekiraqës, është rasti i fundit që po e përmendi, ka raste shumë ma eklatante. Në Gjykatë dhe Prokurori, kanë qenë dëshmitarë njerëz të kërkuar zyrtarisht edhe nga Interpoli, dhe ata janë Muharrem Ibra për shembull, është Miomiri. Prandaj po them se ky është i fundit. Interpoli thotë se nuk e dinë vendin se ku janë ata, derisa këta dy sillen si dëshmitarë në Hagë. Kjo është ajo që është edhe më eklatante dhe nuk mund të merret me mend. Sekiraqa është i mrami, edhe po bëhet si viktimë”, ka thënë Haradinaj.
Pra sipas Haradinajt, Muharrem Ibraj një i dyshuar me të kaluar kriminale, kishte qenë dëshmitar në Hagë.
Historia e famëkeqit Muharrem Ibraj
Muharrem Ibraj dhe Mushk Jakupi babë e bir nga fshati Osek Hilë i Gjakovës dyshohet se kishin kryer krime ndaj shqiptarëve në uniformën e policisë serbe.
Së fundmi, për këto krime, ndaj tij u ngrit një aktakuzë në mungesë për krime të luftës.
Në pikën e parë të aktakuzës që e kishte siguruar Betimi për Drejtësi, thuhet se më 28 shkurt 1998 rreth orës 14:30 në fshatin Osek Hylë, Komuna e Gjakovës, i pandehuri Muharrem Ibraj me dashje, i armatosur, i uniformuar në uniformë policore dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe, ka marrë pjesë direkte në vrasjen dhe keqtrajtimin e qytetarëve civilë të nacionalitetit shqiptar që nuk ishin të përfshirë në luftë.
Aty thuhet se Ibraj, bashkë me forca të mëdha policore serbe rrethuan shtëpinë e viktimës S.B dhe pasi futen brenda në shtëpi, i pandehuri Ibraj i kërcënon dhe i fyen të pranishmit me fjalë të ndryshme dhe në ato momente e godet me shuplakë të dëmtuarin Q.C., dhe pasi ndërhyn viktima S.B., e urdhëron të dalë nga dhoma.
Po ashtu, sipas aktakuzës, derisa viktima ishte duke dalë jashtë, i pandehuri në prezencë të familjarëve dhe të afërmve të viktimës që ishin prezent aty, shtie disa herë në drejtim të viktimës me një pushkë automatike të llojit AK-47, ku në ato momente viktima S.B ndërron jetë si pasojë e plagëve vdekjeprurëse.
Dhe më pas, sipas aktakuzës, burrat e tjerë që ishin prezent u nxorën jashtë nga forcat policore, u rrahën dhe u transportuan në stacionin e policisë ku edhe më tej i sulmuan fizikisht dhe i morën në pyetje me pretekstin se ishin pjesëmarrës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe pastaj i liruan.
Gjithnjë sipas aktakuzës, më 10 nëntor 1998, në fshatin Osek Hylë, Komuna e Gjakovës, i pandehuri Ibraj në bashkëkryerje me babanë e tij dhe vëllanë e tij, të armatosur, të uniformuar në uniformë policore, duke përdorur forcën e detyrojnë të dëmtuarën NN që të kryejë marrëdhënie seksuale me ta pa pëlqimin e saj.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Ibraj bashkë me të lartcekurit e kanë ndaluar të viktimën NN posa ka zbritur nga autobusi, dhe në ato momente me forcë dhe nën kërcënimin e armëve e kanë detyruar që të shkojë me ta tek mulliri i grurit, ku e dhunojnë me radhë, duke filluar nga babai i të akuzuarit, vëllai dhe pas tij vetë i pandehuri Ibraj, ku si pasojë e dëmtuara e humb vetëdijen.
Sipas aktakuzës, pasi i kthehet vetëdija, viktima NN e sheh vëllanë e të pandehurit me një cigare të ndezur në dorë, duke ia djegur dorën dhe krahun asaj, me qëllim që t’ia kthejë vetëdijen dhe që ajo edhe në të ardhmen t’i kujtojë këto ndodhi dhe në fund babai i të pandehurit i kishte thënë të dëmtuarës NN që të vishej dhe të shkojë në shtëpi duke e kërcënuar se nëse do i tregonte dikujt për këtë ngjarje do t’ia vrasin gjithë familjen.
Në vitin 2005, Muharrem Ibraj kishte dëshmuar edhe në Hagë në mbrojtje të Sllobodan Millosheviqit.
Ai ishte pjesë e policisë serbe dhe tani jeton me një pension në Serbi.
Ibraj ishte i vetmi shqiptar në një listë prej 18 personash që kërkoheshin nga Interpoli për krime lufte të kryera në Kosovë.