Në rastin e të akuzuarit për shpëlarje të parave, Denis Çeman është dëgjuar dëshmitari M.H, i cili për shkak se vazhdimisht është pyetur për lidhjen e dashurisë së vajzës së tij, A.H, më të akuzuarin Çeman, ka thënë se nuk e di a është në gjykim për pastrim parash apo për lidhje dashurie.
“Nuk e di a jam në gjykim për pastrim parash apo për lidhje dashurie”, ka thënë dëshmitari M.H.
Ky dëshmitar është ftuar nga prokurorja speciale Ilirjana Qollaku, pasi vet i akuzuari Çeman po pretendon se shumën prej 115 mijë euro, e cila po dyshohet se ka rrjedhë prej aktivitetit kriminal, ka qenë e vajzës së dëshmitari M.H, A.H., e cila ka qenë në lidhje dashurie me të akuzuarin Çeman.
Dëshmitari M.H, ka thënë se me të akuzuarin ishin takuar vetëm një herë dhe atë pasi vajza e tij kishte kërkuar që ta njoftojë me të, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai ka tha se dy biznese, në njërin prej tyre është ortak dhe në biznesin “Alba Trans”, i cili merret me transport mallrash nga Turqia në Kosovë dhe anasjelltas është pronar.
Sipas dëshmitarit, bashkëshortja e tij ka pasur dyqan të tekstilit, në të cilin tha se ka punuar edhe vajza e tij, A,H., por sipas dëshmitarit ajo nuk është paguar dhe se ai i kishte dhënë të holla vetëm për shpenzime për studime, ushqim, veshmbathje në shumat prej 10 deri në 100 euro.
Tutje, dëshmitari ka thënë se pasi për të akuzuarin Çeman nuk i kishin thënë fjalë të mira, ai i kishte treguar vajzës së tij, e cila tha se kishte vendosur të ndërpresë lidhjen me të, pa pasur presion nga ai.
I pyetur nga prokurorja Qollaku se a ishte në dijeni dëshmitari nëse vajza e tij, A.H., i kishte blerë ndonjë dhuratë të akuzuarit apo kishte dashur t’i blejë veturë, dëshmitari ka thënë se kjo është absurde, pasi sipas tij, me shumat që vajza e tij i ka pasur në dispozicion për shkollim nuk ka pasur mundësi të blejë veturë.
“Po më duket absurde, unë i kam dhënë 5 euro 10 euro për shpenzime dhe është absurde me i ble veturë të dashurit”, ka thënë dëshmitari.
Ai ka thënë se vajza e tij, A.H., i kishte treguar kur ishte marrë në pyetje në polici se ka qenë bashkë me të akuzuarin Çeman, kur i njëjti kishte deponuar para në bankë.
Por, sipas dëshmitarit, ajo nuk i kishte treguar nëse ka qenë bashkë me të kur i ka tërhequr ato para.
I pyetur nga i akuzuari Çeman se a është në dijeni dëshmitari se vajza e tij ka marrë lokal me qira në Podujevë dhe se në të kishte punuar i akuzuari, ai ka thënë se kjo nuk ka pasur mundësi të ndodhë pasi sipas tij, ai në qytetin e Podujevës ka autoritet të madh dhe se asnjë lokal nuk ka mundur të hapet pa dijeninë e tij.
Në dëshminë e dëshmitarit M.H, ka paraqitur vërejtje vet i akuzuari Çeman, i cili ka thënë se dëshmitari ka mohuar që ka kontaktuar me të përmes telefonit, ndërsa sipas tij, prokuroria posedon audio-incizime të bisedave telefonike mes tyre.
Seanca e radhës pritet të mbahet me 27 janar 2022.
Ndryshe në seancën e 15 shtatorit 2021, ishte dëgjuar dëshmitarja A.H., e cila ka qenë e dashura e të akuzuarit Çeman, dhe kur është ballafaquar me të akuzuarin e ka mohuar në tërësi pretendimin e të akuzuarit se paratë e dyshuara pa prejardhje kanë qenë të saj.
Sipas aktakuzës së ngritur më 4 tetor 2013, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Denis Çeman po akuzohet se më 28 shkurt 2011, edhe pse e ka ditur se shuma e të hollave prej 115 mijë euro rrjedhë nga aktiviteti kriminal, me qëllim të fshehjes së tyre, i ka deponuar në xhirollogarinë e tij në Prishtinë.
Në aktin akuzues thuhet se kur punëtorja e bankës ka kërkuar nga ai që ta plotësojë formularin për prejardhjen e të hollave, i njëjti ka refuzuar duke u larguar nga banka.
Tutje sipas aktakuzës, punëtorja e bankës e ka ftuar përmes telefonit që të bëjë nënshkrimin e deponimit të të hollave, për çka i pandehuri ka shkuar në bankë, e ka nënshkruar fletëdeponimin, e ka bërë tërheqjen e të hollave dhe është larguar nga banka.
Me këtë, Çeman po akuzohet se ka kryer veprën penale “Shpëlarja e parave” nga neni 32, paragrafi 2 lidhur me nënparagrafin 2.6, e dënueshme sipas paragrafit 2.8 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimit të Terrorizmit. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.