Në Kosovë, gjatë luftës në anën e forcave serbe, kishte një numër të madh mercenarësh rusë, rumunë, grekë e të tjerë, por kjo ishte vështirë të dokumentohej sepse mercenarët rusë e rumunë kishin një përvojë të gjatë në frontet e luftës në Afganistan, Çeçeni, Bosnje e Hercegovinë.
Megjithatë, UÇK-ja në frontin e luftës kishte arritur të vriste edhe mercenarë rusë, të cilët ishin të njohur për mizoritë e tyre mbi popullaten civile në Kosovë, për ta dokumentuar faktin se mercenarët rusë ishin përkrah forcave serbe. Njësiti i Agim Hazirit (Komandant Lumit) ka vrarë një ish-oficer rus, në betejën e Kosharës.
Komandant Lumi bëri identifikimin e oficerit rus, Vasil Bukharinit, para gazetarëve të shumtë që ishin në vijën e frontit në Luftën e Kosharës…
Në luftën e Kosovës, UÇK-ja nuk luftonte vetëm kundër forcave ushtarake e policore serbe, por edhe kundër një numri të madh mercenarësh rusë, rumunë, grekë e të tjerë, që ishin futur në radhët e forcave militare e paramilitare serbe. Kjo ishte e sigurt, sepse oficerët e UÇK-së shumë herë u kanë ndërhyrë në lidhje dhe i kanë dëgjuar duke komunikuar në gjuhën e tyre. Por, ishte vështirë që kjo të dëshmohet para faktorit ndërkombëtar, sepse politika zyrtare e Beogradit nuk pranonte këtë fakt, kurse pala ruse mundohej të mohonte përzierjen e Rusisë në luftën e Kosovës dhe nuk pranonte pjesëmarrjen e oficerëve rusë në këtë luftë. Por, as kjo nuk u mund të mbetet sekret shumë gjatë, sepse djelmoshat e UÇK-së kishin vrarë dhe kishin identifikuar mercenarë rusë të cilët pastaj u janë dorëzuar organizatave ndërkombëtare humanitare dhe trupave të NATO-s.
Oficeri rus në radhët e ushtrisë jugosllave
Gjatë një beteje në luftën e Koshares, pjesëtarët e UÇK-së kishin arritur të vrasin dhe të identifikojnë mercenarë rusë. Njëri nga ta ishte edhe oficeri lejtenant Vitali Bukharin, 34-vjeçar, i cili më parë kishte qenë oficer në armatën ruse dhe kishte marrë pjesë në luftën ruso-afgane dhe ruso-çeçene. Këtë fakt më vonë ishte detyruar ta pranonte edhe kreu ushtarak rus. Një zyrtar ushtarak rus kishte pranuar se eprori Bukharin ishte oficer i armatës ruse, por, siç thoshte ai: “Bukharin kishte dezertuar nga armata ruse dhe ishte kyçur në ushtrinë jugosllave për një pjatë supë më tepër”. Mirëpo, Bukharinit, supa kësaj here i mbeti në fyt në Koshare … Agim Jahir Haziri (Komandant Lumi) ishte komandant i njësitit që u përball me forcat serbe dhe me mercenarë të huaj dhe pikërisht nga ushtarët e këtij njësiti është vrarë ish-oficeri rus, Vitali Bukharin. Komandant Lumi, para kamerave të shumta të kanaleve televizive botërore, kishte bërë identifikimin e oficerit të vrarë rus në betejën e Kosharës. Ai na rrëfen për Luftën e Kosharës, rënien heroike të ushtarëve të tij, për vrasjen e oficerit rus
Agim Haziri, nga Mitrovica, kishte kryer Akademinë Teknike Ushtarake në Zagreb (1982-87) dhe ishte epror në ushtrinë jugosllave deri më 1988, kur u dënua me burg dhe u largua nga APJ, për shkak se nuk kishte gjykuar rastin e Paraqinit. Pas largimit nga puna ai ik në Gjermani, në rrethinë të Munihut. Atje kishte fituar të drejtën e azilit dhe kishte filluar të punonte. Me fillimin e luftës në Kosovë, pas masakrave të shumta që bënin forcat ushtarake dhe paraushtarake serbe (të ndihmuar edhe nga mercenarët rusë, rumunë e të tjerë) mbi popullatën civile në pjesët e ndryshme të Kosovës, Agimi e kishte ndjerë nevojën të kthehet në Kosovë, për t’i dalë zot popullit të vet. Që nga fillimi i luftës dhe paraqitja e UÇK-së, Agimi në Gjermani kishte kontakte të shpeshta me kolegët e vetë të studimeve, Naim Malokun, Fehmi Lladrocin, vëllain e tij Ramizin, por kishte patur rastin të njihet edhe me shokë të tjerë që më pas iu bashkangjitën radhëve të UÇK-së. Agimi fillimisht ishte ndalur në Tiranë, ku kishte takuar edhe kolegun e vet të studimeve, Fadil Demirin, po ashtu ish-oficer i APJ-së dhe i burgosur politik me grupin e Naim Maalokut. Si eprorë ushtarakë, ata bënin planet si të futeshin në Kosovë. Agimi në maj të vitit 1998 ishte vendosur në Hoxhaj të Tropojës, ku në fillim stërviteshin djelmoshat, të cilët furnizonin me armatim, UÇK-në dhe popullatën e Kosovës. Më vonë aty filluan edhe stërvitje më të gjata të pjesëtarëve të UÇK-së. Agimi kujdesej në pikat kyçe nëpër të cilat futej armatimi në Kosovë, kishin angazhuar rreth 60 kuaj për bartjen e armatimit. Më pas Agimi kishte shkuar në Vëlan, afër kufirit Shqipëri-Kosovë, ku stërviteshin djelmoshat që vinin nga Kosova dhe shtetet e Perëndimit.
Takimi i Komandant Lumit me Komandant Katanën në Koshare
Më vonë, Agimi Haziri, nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, u emërua komandant i Qendrës Stervitore në Elshan, vendbanim në mes të Tropojës dhe Kukësit. Ishte kjo një qendër shumë e rëndësishme e rekrutëve të rinj, vullnetarë që vinin nga diaspora. Aty Agim Haziri merr nofkën Komandant Lumi.
Njëkohësisht përgatitej aksioni “Shigjeta”. Nuk dihej data e saktë e këtij aksioni, por ushtarët e tij ishin të gatshëm për të marrë pjesë në aksion. Më pas nga ShP i UÇK-së erdhi urdhri që të niseshin për në Koshare. “Aty ishim rreth 200 ushtarë, përafërsisht po aq sa ishin edhe në Papaj, nën komandën e Agim Ramadanit e Rrustem Berishës. Jemi bashkangjitur në Brigadën 138, e cila përbëhej kryesisht nga ushtarë vullnetarë që kishin ardhur nga shtetet perëndimore. Kjo brigadë më vonë është quajtur Brigada 138 ‘Agim Ramadani’”, rrëfen Komandant Lumi. Nga Rrustem Berisha, Agimi (Komandant Lumi) kishte marrë drejtimin e pozicionimit për veprim të mëtutjeshëm. Agimi ishte nisur në drejtim të kazermës së Koshares. Natën e 9-10 prillit 1999 ishte paraparë të ndërmerrej një sulm i ashpër për të dëbuar forcat okupatore serbe nga pozicionet e tyre. Kështu edhe kishte ndodhur. Komandant Lumi, me rreth 47 ushtarë, luftonte dhe pastronte terrenin dhe synonte të futej në kazermën e Kosharës, nga ana e djathtë e saj. “Unë e kam gjetur, apo të them më mirë jam bashkuar me njësinë e Agim Ramadanit në kazermën e Koshares”, thotë Komandant Lumi. Më 10 prill 1999, Agimi Haziri, rreth orës nëntë, ishte takuar me Agim Ramadanin në kazermën e Kosharës të porsaçliruar. Agim Ramadani i kishte ofruar Komandant Lumit një cigare “Morava” të Nishit që i kishin gjetur pas marrjes së kazermës. Komandant Lumi, me ushtarët e tij që kishin ardhur nga Vëlani dhe Cahani, morën për detyrë të bëjnë spastrimin e terrenit afër kazermës së Kosharës dhe të takoheshin me ushtarët tjerë, që do të vinin ndërkohë dhe pastaj të vazhdonin aksionin e mëtejshëm në drejtim të Batushës. Natën në mes të datës 10 dhe 11 prill ishin zhvilluar luftime të rrepta, Komandant Lumi kishte disa luftëtarë të plagosur. Kurse Agim Ramadani (Komandant Katana) u kishte shkuar në ndihmë njësiteve tjera të UÇK-së në Rrasë të Koshares, ku zhvilloheshin luftime të ashpra nga afërsia me forcat serbe. Komandant Lumi më kot kishte tentuar ta marrë me radiolidhje Komandant Katanën. Ai kishte rënë ballë për ballë me forcat serbe, më 11 prill në Rrasë të Koshares. “Këtë lajm të hidhur ma kumtoi në vijë të frontit Esat Krasniqi – Mjekra”, thotë Agimi. 17 prilli 1999 për Agimin ishte një ditë e hidhur. Atë ditë forcat serbe kishin ndërmarrë një ofensivë për rimarrjen e pozicioneve. Ai, si komandant, atë ditë kishte humbur dy kolegë dhe dy luftëtarë të denjë, Esat Mustafa nga Çerkezi i Kumanovës dhe ushtari Dukagjini nga Gjakova, ndërsa ishin plagosur 12 vetë.
Mercenari i vrarë kishte rubla ruse, dollarë amerikanë dhe dinarë jugosllavë
Luftimet në Koshare vazhduan edhe gjatë muajt maj. Agim Hazirit (Komandant Lumit) i kujtohen edhe sulmet e forcave serbe që nga mesi i majit kishin ndërmarrë për t’i rikthyer territoret e humbura. Në ato sulme ishin të kyçur posaçërisht mercenarët rusë, me një përvojë të gjatë lufte nga Afganistani dhe Çeçenia, por edhe nga Bosnja e Hercegovina. Agimit i kishte rënë disa herë të dëgjojë nëpërmjet radiolidhjeve biseda në gjuhen ruse, por edhe rumune. Derisa shumë serbë kishin dezertuar, rusët mbanin frontin dhe ndërmerrnin edhe kundërsulme. Kështu ishte edhe më 18 e 19 e 20 maj, kur ushtarët e Komandant Lumit kishin ndalur kundërsulmin serb, ku merrnin pjesë edhe shumë mercenarë rusë. Një ushtar kishte lajmëruar komandant Lumin se kishin vrarë një ushtar të forcave serbe, por dokumentet që i kishte gjetur të vrarit në xhep nuk ishin në gjuhën serbe, por në një gjuhë tjetër. Më pas, para kamerave dhe shumë gazetarëve të huaj, Komandant Lumi, në bazë të dokumenteve personale të ushtarit të vrarë, kishte identifikuar Vitali Bukharinin, ish-oficer rus që, siç kishte pohuar edhe një zyrtar rus më vonë, pas marrjes së kufomës, Bukharini kishte dezertuar nga radhët e ushtrisë ruse dhe kishte shkuar për një pjatë supë më shumë në ushtrinë jugosllave. Oficerit të vrarë rus në xhep i ishin gjetur 3500 rubla ruse, rreth 600 dollarë dhe shumë dinarë jugosllavë. Me dokumentet personale kishte edhe një dokument ku është shënuar data e kyçjes së tij në ushtrinë jugosllave, si dhe dokumenti për armën dhe gjëra me të cilat ai ka qenë i ngarkuar.
Në atë betejë, komandant Lumi kishte humbur dy ushtarë: Xhafer Lipoveci nga Gjakova dhe Afrim Gashi nga Hajvalia.
Trupi i oficerit rus është dorëzuar në ShP të UÇK-së, e ata ia kanë dorëzuar trupave të NATO-s. Trupi i oficerit të vrarë më pas është kthyer në vendlindje, pra në Rusi, përmes një organizate humanitare.
Vitali Bukharin nuk ka qenë mercenari i vetëm rus në forcat serbe; ka patur edhe mercenarë të tjerë të vrarë. Mercenarët rusë kanë qenë të njohur për masakrat e bëra mbi popullatën civile në rrethinën e Rahovecit, Gjakovës e shumë rajoneve të tjera.
Komandant Lumi është plagosur dy herë, një herë nga një predhë serbe dhe herën tjetër nga një raketë e NATO-së që kishte goditur një gjenerator rryme në kazermën e Koshares; dyshohet se raketa është lansuar mbi objektin i cili është dukur si automjet luftarak. Ai kishte patur edhe takime me këshilltarë ushtarakë amerikanë, të cilët e kishin pyetur se ç´mund të bëjë ai dhe ushtarët e tij për amerikanët?
Agimi iu kishte premtuar se nëse zënë robër, do t´ua dorëzojnë forcave të NATO-s me qëllim që t’i shkëmbejnë me dy ushtarë amerikanë të kidnapuar nga forcat serbe në territorin e Maqedonisë. Amerikanët ishin ndarë mjaft të kënaqur nga kjo bisedë dhe bashkëpunimi ka vazhduar gjatë tërë luftës, thotë Komandant Lumi. /Telegrafi