Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi nëpërmjet një postimi në Facebook ka komentuar rritjen e çmimit të rrymës në Kosovë.
Ajo ka thënë se serbët në veri të Kosovës as nuk e dinë që është rritur çmimi i rrymës, pasi qytetarët e Kosovës paguajnë edhe për ta.
Bunjaku-Rexhepi ka thënë se ka propozuar në komision që pushtet e opozitë të bëhen bashkë për mos rritje të tarifave të energjisë.
Ky është postimi i saj:
Qytetarët e Kosovës, paguajnë rrymën për serbët në Veri që nga paslufta. Edhe pas Marrëveshjes së Qeverisë Kurti për energji elektrike me Serbinë, serbët nuk paguajnë asnjë cent në Veri.
Jashtë Veriut, nga 1 prilli, qytetarët do të paguajnë edhe 14 për qind më shumë për faturat e rrymës, ndërsa serbët në Veri as nuk e dinë që është rritur çmimi i rrymës.
Për 6 muaj, thoshte Qeveria Kurti, do t’i faturojë konsumatorët në Veri, por do të kryhet mandati, e nuk do të realizohet premtimi. Qeveri e fjalëve, por jo e qytetarëve, pa dallim.
Sot në Komision, propozova t’i rekomandojmë ZRRE-së, si pushtet dhe opozitë, të bëhemi bashkë dhe të dalim me një rekomandim të mos rriten tarifat e energjisë.
Qytetarët paguajnë indirekt për subvencionet e dhëna nga Qeveria, plus rritja e tarifave të energjisë direkt te konsumatorët.
Dy herë dëmtohen qytetarët.
LDK me kohë ka kërkuar shkarkimin e anëtarëve të Bordit të ZRRE-së, por arroganca e pushtetit votoi kundër.
Qeveria e shpresës u bë qeveria e dëshpërimit