Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi deklaroi se Qeveria e Kosovës është duke punuar për të gjetur një mekanizëm të duhur që i garanton komunitetit serb një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit. Sipas tij, përmes draft-vizionit për Asociacionin është ofruar baza e tij dhe tani përmes dialogut palët duhet të pajtohet për realizimin konkret të tij.
Rrustemi në një intervistë për KosovaPress tha se ndërmjetësuesit e dialogut duhet të kenë të qartë se sekuencimi i zbatimit të marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi duhet të jetë për secilën pikë dhe jo të fokusohet vetëm te neni shtatë, ku flitet për vetëmenaxhim.
“Ne e kemi ofruar bazën dhe tash është pjesë e dialogut, takimeve që do të ndodhin në funksion të realizimit konkret. Baza është prezantuar dhe është e qartë, por palët duhet të pajtohen”, theksoi Rrustemi.
Deputeti i mazhorancës i vlerësoi edhe mesazhet amerikane që u dhanë gjatë kësaj jave për Asociacionin.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paraqitur draft-vizionin e Asociacionit gjatë takimit që ka zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel. Draft-vizioni ka ardhur si përgjigje ndaj një draft-statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin kryeministri Kurti e ka refuzuar, duke thënë se nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës./KP