Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, ka thënë se kryeministri, Albin Kurti nuk ju beson deputetëve të vet dhe as qeverisë së tij.
Humolli këto deklarata i bëri në lidhje me planin franko-gjerman.
“Kryeministri dhe Qeveria kam përshtypje deputetët po i konsideron që duhet me mbajt fshehtë, sepse nuk ju beson deputetëve dhe nuk i beson qeverisë së vet. Gjithçka e mbajnë në një grupacion që neve me na qit para aktit të kryer. Për mendimin tim personal, derisa KFOR-i francez i ka mbrojtur serbët të cilët i kanë shpërngulur me mijëra shqiptare prej veriut të Mitrovicës, dhe një plan që fillon me “franko”, për mua është një bazë e fuqishme që të mos i besoj”, ka thënë Humolli në Klan Kosova.
Ai tutje ka deklaruar se në mënyrë automatike, derisa është franko-gjermane, do të thotë nuk është e besueshme, por vetvetiu sipas tij derisa është temë e diskutimit Kosova me Serbinë, atëherë është e papranueshme.
Humolli për një kohë të gjatë ka shprehur qëndrime për situata të ndryshme kundër Qeverisë, si në rastin e Trustit.
Ky i fundit, as dje nuk votoi projektbuxhetin për vitin 2023, të prezantuar nga kryeministri Kurti.