Vendenis Lahu nuk është vetëm emër i përveçëm i çfarëdoshëm. Lahu është deputet i Kuvendit të Kosovës dhe vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Për herë të parë, sipas shumë reagimeve në rrjete sociale, u vërejt mbrëmë në seancën e vonshme të Kuvendit të Kosovës. Nacionale më herët, tregoi pak nga biografia e tij, ndërsa në këtë tekst, do të njoftoheni me pasurinë e deputetit Lahu.
Vendenis Lahu është i lindur më 1992, në Gllamnik të komunës së Podujevës dhe është mjek me profesion.
Madje sipas Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti i cili ra në sy vetëm mbrëmë, po kryen specializimin në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Sa është i pasur deputeti “i panjohur”?
Mjaft shumë. Ai duket se posedon shtëpi, banesë, vetura, biznes privat dhe para të gatshme nëpër institucione financiare.
Në deklarimin e pasurisë për vitin 2022, Vendenis Lahu ka treguar se përpos pozitës së deputet në Kuvendin e Kosovës, ai punon edhe në QKUK me funksion “Edukim Profesional”.
Deputeti i VV-së ka treguar se ka një shtëpi prej 300 metra katrorë e cila arrin vlerën e 150 mijë euro dhe te “prejardhja e pasurisë” ka treguar se është familjare.
Ai ka deklaruar edhe një banesë prej 86 metrash katrorë, e cila ka vlerë prej 76 mijë euro. Kjo është në pronësi të tij.
Si pasuri të luajtshme, Lahu ka raportuar një veturë në pronësi të prindit, e cila kushton 10 mijë euro, dhe një tjetër në pronësi të vetë atij, e cila arrin vlerën e 10 mijë e 500 euro.
Deputeti i VV-së ka treguar se prindi i tij ka një ordinancë specialistike me kapital prej pesë mijë euro.
Bashkë me prindin e tij, deputet Lahu ka para të gatshme nëpër institucione financare plotë 58 mijë e 57 euro.
Nga këto, 500 euro ka deklaruar se janë të tij dhe 3 mijë e 727 “në zotërim të përbashkët”.
Si të hyra vjetore, Lahu ka treguar se merr 16 mijë e 758 euro si deputet i Kuvendit të Kosovës dhe dy mijë e 151 euro nga M.SH, që me shumë gjasë, është Ministria e Drejtësisë.
Ai ka deklaruar se prindi i tij merr nëntë mijë e 600 euro pagë vjetore në QKUK dhe katër mijë e 400 euro në një QKMF, po nuk tregohet në cilën komunë.
Nga Ordinanca Specialistike, Lahu ka treguar se merr pagë vjetore rreth 10 mijë e 385 euro.
Deputeti “i panjohur” mungoi veç në një seancë, por foli tepër pak
Në platformën “Vota ime”, gjenden të dhëna interesante rreth deputetit Lahu.
Fillimisht, ai duket se bën pjesë në një komision, në atë për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë.
Numri total i votave që ai ka marrë në zgjedhjet e fundit, është nëntë mijë e 830.
Pjesëmarrjen në seanca plenare, ai e ka përmbushur 99 për qind, duke munguar vetëm në një seancë.
Zero për qind ka marrë ai në pjesën ku tregohet për përgjigjet në pyetjet e qytetarëve, dhe zero për qind në pjesën e “Lojalitetit ndaj Grupit Parlamentar”.
Një gjë tjetër interesante dhe që mund të tregojë se pse ai është kaq i panjohur, janë deklarimet jashtë rendit të ditës, ku tregohet se ai është deklaruar vetëm një herë.
Përveç kësaj, në platformë bëhet e ditur se ai ka marrë pjesë në pyetje parlamentare vetëm dy herë.
Ndryshe, sipas të dhënave zyrtare, krijimi i platformës “Vota Ime” është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO‐K) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)”.