Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka kritikuar ashpër qeverinë për dakordimin që ka bërë për Marrëveshjen Bazike me Serbinë në Ohër.
Selmanaj thotë se kjo marrëveshje e amniston Serbinë nga krimet e luftës dhe ka paralajmëruar “federalizimin” e Kosovës. Tutje ai ka shtuar edhe se kjo marrëveshje do të ketë pasoja të mëdha për gjeneratat që vijnë pasi Kosova ka marrë obligime ndërkombëtare.
Deputeti nuk la anash as kritikat për Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ai thotë në emisionin DPT te Fidani në T7 se deklaratat e saj për marrëveshjen janë të gabuara.
Sipas tij, Kosova tani me vetmenaxhimin, do të tejkalojë lëshimet ndaj Serbisë që ishin paraparë me marrëveshjen e 2013-ës.
Selmanaj ka thënë se në Qeverinë e Abdullah Hotit, pjesë e së cilës ishte edhe ai, kishte qasje të mirëfilltë për dialogun.
“Në Qeverinë Hoti, ku isha unë, e ndërruam qasjen. Hoqëm taksën dhe hapëm mundësinë dhe ajo na çoi në Uashington. Strategjia jonë ka qenë do të diskutojmë për gjithçka, por s’do të merremi vesh për asgjë, pa u pajtuar për gjithçka”, tha Selmanaj.
Por, sipas tij, kjo agjendë u dëmtua me Kurtin në krye të qeverisë. E për më shumë, sipas Selmanajt, Kurti përfundoi në agjendën e Serbisë.
“Kur erdhi ky kryeministër, e ndërroi tërë agjendën. Tha është i parëndësishëm dialogu, e pastaj rrëshqiti në dialog pa strategji, pa transparencë, pa llogaridhënie, e me gjasë përfundoi në agjendën e Serbisë”, tha Selamanaj.