Deputeti gjerman, Knut Abraham, ka thënë se Gjermania është përkrahëse e Kosovës në anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës dhe se liberalizimi i vizave është e drejtë që po u mohohet qytetarëve të Kosovës. Ai më skeptik ka qenë për anëtarësimin e Kosovës në NATO, për çka ka thënë se duhet ende punë.
Ka vite që Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave.
Madje, ka qenë edhe vetë Komisioni Evropian, që i ka rekomanduar Këshillit të Ministrave të BE-së, që kosovarëve t’u largohen pengesat në lëvizje të lirë.
Por, pavarësisht kësaj Kosova mbetet i vetmi vend në Evropë që nuk e gëzon një të drejtë të tillë.
Ndërkohë, së fundmi janë shtuar zëra përkrahës në vendet e fuqishme të BE-së.
Është Gjermania që Kosovës i doli në krah edhe sa i përket liberalizimti të vizave, por edhe aplikimit për Këshill të Evropës ku përkrahja për Kosovën nga Gjermania çdo ditë e më shumë po fuqizohet.
Mbështetjen gjermane e ka konfirmuar edhe një debutet i Bundestagut.
Bëhet fjalë për deputetin e CDUs-ë Knut Abraham, i cili në një intervistë për RTV Dukagjini, ka thënë se Kosova e meriton liberalizimin e vizave.
“Liberalizimi i vizave është diçka që Kosova e meriton tashmë dhe patjetër duhet që regjimi i vizave të hiqet për qytetarët atje. Unë kam biseduar edhe ministren Gërvalla. Ia kam shprehur qëndrimin tim dhe mendoj që pas verës dhe zgjedhjeve në Francë, është një moment i mirë që procesi i vizave të përfundojë. Qytetarët e Kosovës e meritojnë këtë. Unë vërtetë nuk e kuptojë hezitimin e disa shteteve anëtarë për të votuar kundër Kosovës”, ka thënë deputeti Knut Abraham, nga radhët e CDU.
Abraham, ka folur edhe për aplikimin e Kosovës për t’u bërë anëtarë i Këshillit të Evropës i cili ka një këshillë për qeverinë e Kosovës.
“Koha e aplikimit të Kosovës në Këshill është mjaftë e rëndësishme. Edhe nëse Kosova nuk arrin që të hy të premten në agjendën e Ministrave në Këshillin e Evropës, nuk do të thotë që ka përfunduar gjithçka. Përkundrazi, miqtë e Kosovës dhe Qeveria e Kosovës duhet të përdorin këtë kohë, për të lobuar tek shtetet anëtare dhe për të promovuar edhe më shumë idenë e Kosovës”, shtoi Abraham.
Por, pak më skeptik deputeti i CDU parti që dikur udhëhiqte me qeverinë gjermane, është për anëtarësimin e Kosovës në NATO, për çka thotë se duhet ende shumë punë që Aleanca Veri Atlantike të pranojë Kosovën. /Gazeta Papirus/