Pozicionimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në anën e SHBA-së për ngjarjet e djeshme në veri, ka nxitur reagime të disa deputetëve të VV-së. Ata kanë kritikuar kryeministrin shqiptar se pse nuk është pozicionuar në anën e Kosovës.
Duket se deputetët e partisë më të madhe në vend nuk kanë pasur guxim të merren me sekretarin amerikan Blinken, i cili ka qenë shumë më i ashpër me Qeverinë e Kosovës për aksionet në veri.
Ata kanë injoruar komplet kritikat e kryediplomatit amerikan, duke vlerësuar se kryeministri shqiptar ndaj Kosovës po sillet sikur me qenë i huaj.
Ndër të paret që ka kritikuar kryeministrin Rama ka qenë deputeti i VV-së, Armend Muja.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se Rama po sillet si i huaj me Kosovën.
“Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, shqiptar, sillet me Kosovën sikur të ishte ndërkombëtar, i huaj. Edhe përballë kujt? Bandave kriminale të Serbisë”, ka shkruar Muja.
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe deputeti tjetër i VV-së, Artan Abrashi.
Sipas tij, kryeministri i Shqipërisë e ka mik kryeministrin e Kosovës, vetëm kur është situata e qetë.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se sjellja e kryeministrit Rama nuk është sjellje kombëtare.
“Edi Rama e ka Albinin mik vetëm kur është situata e qetë dhe për aq sa ia lejon konsensusi ndërkombëtar. Kjo nuk është sjellje kombëtare shqiptare.”, ka shkruar Abrashi.
Edhe më i ashpër ka qenë deputeti Adnan Rrustemi.
Në një intervistë në “Interaktiv” të KTV-së, ai ka thënë se në ngjarje si këto shqiptarët duhet të jenë të bashkuar.