Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja i ka reaguar deklaratës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili tha se një ngjarje e tillë(situata në veri) nuk ndihmon procesin për normalizim dhe njohje të ndërsjellë me Serbinë.
Muja tha se Rama është duke u sjellë si të ishte ndërkombëtarë dhe kundër Kosovës.
“Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, shqiptar, sillet me Kosovën sikur të ishte ndërkombëtar, i huaj. Edhe përballë kujt? Bandave kriminale të Serbisë”, ka shkruar ai.
Ramës i ka reaguar edhe deputeti tjetër i LVV-së, Artan Abrashi, i cili tha se sjellja e tij nuk është kombëtare shqiptare.
“Edi Rama e ka Albinin mik vetëm kur është situata e qetë dhe për aq sa ia lejon konsensusi ndërkombëtar. Kjo nuk është sjellje kombëtare shqiptare”.
Ndryshe, Rama ka thënë se një gjë të tillë e konfirmon edhe reagimi me shqetësim i ndërkombëtarëve.
“A e ndihmon kjo që po ndodh në Kosovë procesin ku janë angazhuar të tërë miqtë e mëdhenj të Kosovës e të shqiptarëve, për normalizim dhe njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë?! Me siguri jo përderisa vetë miqtë tanë më të mëdhenj shprehen thellësisht të shqetësuar!”, ka shkruar Edi Rama në twitter.
Ai tutje ka shkruar se bashkohet me apelin e SHBA-së për të mos ecur në një shteg të tillë, i cili sipas tij, është jo vetëm i rrezikshëm por edhe i panevojshëm, kur bota demokratike ka vendosur në qendër të dialogut njohjen reciproke Kosovë-Serbi.
“Unë bashkohem me ta në apelin për të mos ecur më tej në këtë shteg jo vetëm të rrezikshëm, po edhe krejt të panevojshëm sot, kur bota demokratike e ka vendosur në qendër të vëmendjes dialogun, normalizimin, njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Edi Rama.