Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pasi ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u dënua me 5 vite burg. Vendimi u mor sot nga Apeli i GJKKO, të cilët vendosën 5 vite heqje lirie për ish-ministrin e Brendshëm, por për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuaj 3.4 vite burg. Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, kryedemokrati shprehet se vendimi i sotëm për ish-ministrin dëshmon se akuzat e bëra nga PD për përfshirjen e tij në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike ishin të vërteta. Për kreun e opozitës, në krye “të bandës” është kryeministri Edi Rama, të cilin e cilëson si njeriu që mbrojti dhe përdori çdo mekanizëm për ta zvarritur dënimin e Tahirit.
REAGIMI BASHES
“Vendimi i sotëm për Saimir Tahirin dëshmon sa të vërteta kanë qenë akuzat e PD për përfshirjen e ish-Ministrit të Brendshëm në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Faktet e përfshirjes së tij në një grup të strukturar kriminal janë dëshmi e qartë se në krye të bandës është Edi Rama, njeriu që e emëroi, mbrojti dhe përdori çdo mekanizëm për të zvarritur dënimin e vartësit të tij. Saimir Tahiri dhe Lefter Koka janë vetëm dy nga hallkat e zinxhirit të krimit dhe korrupsionit që ka për autor dhe zbatues Edi Ramën!”