Lapidari i dëshmorit të kombit, Ekrem Berisha është dëmtuar nga persona të papërgjegjshëm. Ndaj këtij akti të shëmtuar ka reaguar Organizata e Veteranëve të Luftës në Pejë, duke thënë se nëse nuk respektohet e kaluara, ajo do të përsëritët.
“Është e turpshme përdhosja e këtillë e lapidareve në të cilat janë përjetësuar ata që ranë për lirinë tonë. Si organizata që përfaqësojmë dhe mbrojmë vlerat e luftës dënojmë ashpër këtë akt të shëmtuar. Nëse nuk respektojmë të kaluarën, do të na përsëritet”, thuhet në reagimin e OVL-së.
Për dëmtimin e lapidarit të luftëtarit të UÇK-së, Ekrem Berisha ka reaguar edhe deputeti Bekë Berisha. Ky i fundit ka apeluar që prindërit duhet të përkujdesen që të ju flasin fëmijëve të tyre për shenjtërinë e secilit monument, ku përjetësohet Lufta Çlirimtare e Kosovës.
“Qenka përdhosur lapidari i bashkëluftëtarit tim Ekrem Berisha. E konsideroj të turpshëm këtë akt, pavarësisht se me çfarë qëllimi është bërë. Prindërit duhet të përkujdesen që të ju flasin fëmijëve të tyre për shenjtërinë e secilit monument, ku përjetësohet Lufta Çlirimtare e Kosovës. Në të kundërtën, rrezikojmë që e kaluara të na përsëritet”, ka shkruar Berisha në profilin e vet në “Facebook”.