Ousmane Dembele do të largohet përfundimisht nga Barcelona.
Futbollisti francez nuk ka arritur marrëveshje me klubin spanjoll për vazhdimin e bashkëpunimit.
Sulmuesit të krahut do t’i skadojë kontrata muajin e ardhshëm dhe palët po negocionin për vazhdimin e saj.
Megjithatë, takimi i së hënës në mes të katalunasve, që u përfaqësuan nga Mateu Alemany dhe të lojtarit, që u përfaqësua nga Moussa Sissoko, nuk ka sjell fryte.
Ish-futbollisti i Borussia Dortmundit e ka refuzuar ofertën e fundit të gjigantit katalunas dhe largimi i tij nga “Camp Nou” duket se do të jetë i pashmangshëm.
Lajmin e ka bërë të ditur mediumi spanjoll “Sport”, përcjell “Gazeta Express”.
Pra, pas pesë vjetësh, 25 vjeçari do të largohet nga Barcelona pa lënë gjurmë, shkaku i lëndimeve dhe i formës së zbehtë.
Futbollisti francez e riktheu formën optimale sivjet dhe kjo bëri që Barça të tentojë ta mbajë në ekip.
Mirëpo, duket se në mendjen e Dembeles është Paris Saint-Germaini, i cili po ofron më shumë para për të.
Pra, nuk përjashtohet mundësia që lojtarin e krahut ta shohim duke luajtur në Ligue 1 nga edicioni i ardhshëm.