Sot e kësaj dite nuk dihet se cilat toka e sa hektarë Kosova i ‘humbi’ gjatë procesit të stërzgjatur të demarkacionit me Malin e Zi. Madhësia territoriale e shtetit tonë, sipas matjeve të fundit, rezulton 10 mijë e 905 kilometra katrorë, pothuajse poaq sa kishte pasur edhe me Planin e Ahtisaarit, dhe poaq sa e kishin matur ekspertët amerikanë të Departamentit të Shtetit në dhjetor të 2015-s. Për nëntë vjet me radhë, Vetëvendosja, e pjesërisht edhe AAK-ja, e helmatisën opinionin me ‘tradhtarë’ e ‘falës tokash’. As Ramush Haradinaj dhe as Albin Kurti si kryeministër, i pari dy vjet në krye të qeverisë dhe i dyti pesë vjet, nuk e kanë çkapuritur marrëveshjen e 2015-s dhe as nuk ia kanë përmendur ndonjë zyrtari të Malit të Zi.
Col Mehmeti
78.6 kilometra sa ka e gjithë vija kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi pati prodhuar një histori fesatesh që zgjati plot nëntë vjet.
Shënjimi i vijës kufitare me fqinjin perëndimor, i njohur në idiolektin politik si ‘demarkacioni’, u miratua më 21 mars 2018 nga Kuvendi i Kosovës me 80 vota për, 11 kundër dhe asnjë abstenim.
Ironikisht, kjo kishte ndodhur kur kryeministër i vendit ishte Ramush Haradinaj, i cili prej 2015-s kishte qenë kritiku më vokal i marrëveshjes me Malin e Zi.
Edhe ledhi tjetër kundër shënjimit të kufirit me Malin e Zi, Lëvizja Vetëvendosje prej 2019-s nuk ka bëzajtur për kufirin e ri—ky subjekt politik e kishte polarizuar deri në atë shkallë opinionin sa marrëveshjen e kishte lexuar si të tillë që e linte Kosovën mangut me 8200 hektarë.
Abazoviq: “Askush në Prishtinë nuk ma përmendi demarkacionin”
Prej 2018-s e deri më sot, kjo [jo]çështje nuk i është adresuar Malit të Zi.
Vetë ish-kryeministri i vendit fqinj, Dritan Abazoviq, e kishte cilësuar marrëveshjen si çështje të kryer.
“Çështja e demarkimit është punë e kryer. Nëse ekziston një problem, ai duhet të thuhet qartë. Kjo pyetje nuk është avancuar në takimet zyrtare jo vetëm këto dy ditë, por as më herët”, kishte qenë përgjigjja e tij pas vizitës të realizuar në Kosovë.
Armiqësi me vendin që e njohu Kosovën
A ka qenë çështje kontesti përcaktimi i vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi që për nga madhësia territoriale janë aty-aty?
Sipas analistit nga Kroacia, Ivica Bakota, i cili e ka shtjelluar procesin e shënjimit të kufirit mes të dyja vendeve, demarkacioni “zor që i shkon kualifikimit ‘kontest kufitar’ meqë çështjet e përfolura janë kontestuar vetëm mes partive politike kosovare, kurse Mali i Zi zyrtar ka qëndruar larg mosmarrëveshjeve të brendshme kosovare”.
Megjithëse një pjesë e ndjeshme e popullatës në Mal të Zi është serbe (më 2011, 32.9 për qind deklaroheshin për të tillë), Podgorica e kishte njohur Kosovën e pavarur më 9 tetor 2008.
Kjo u pasua me vendosjen e marrëdhënieve të dyanshme diplomatike më 15 janar 2010.
Hapja e ambasadës së Malit të Zi në Prishtinë u bë më 30 korrik 2013.
Në fillim ishte demarkacioni…
I filluar në formë diskutimesh më 2009, procesi i demarkacionit u rrumbullakësua me një marrëveshje të nënshkruar në Vjenë më 6 gusht 2015.
Ajo ishte fryt i ujdisë së përbashkët që parim nistor të ishte rrethana që kufiri administrativ, siç ishte në ish-Jugosllavi, të zyrtarizohej si kufi shtetëror.
Më 2013, Kosova dhe Mali i Zi nënshkruan një marrëveshje me anë të së cilës parashihej që detyrën e përcaktimit të vijës kufitare ta merrte përsipër një komision i përbashkët me ekspertë.
Ky komision në punën e tij u shërbye me një hartë ushtarake të Armatës Popullore Jugosllave (JNA), të vjetit 1953, dhe dokumenti që doli prej tij shërbeu si themel për marrëveshjen ndërqeveritare.
Kuvendi i Malit të Zi e miratoi po atë vit, kurse Kosova nuk e reciprikoi të njëjtën.
Epoka e rebelëve pa kauzë
Nga kjo kohë e deri më 2018, sipari i skenës publike në Kosovë u hap për narracionin e Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate që asokohe funksionin krahë-për-krahë si front i bashkuar opozitar.
Duke e katastrofizuar marrëveshjen e 2015-s, diskursi i asokohshëm opozitar përdori gjithfarë shifrash për humbjet e supozuara tokësore: fillimisht u tha që humbën 12 mijë hektarë, më vonë 10 mijë, dhe së fundmi u standardizua shifra prej 8200 hektarësh.
Qafa e Çakorrit dhe Kulla e Zhlebit, këto dy majamale, u shndërruan në referencat kryesore gjeografike se si vija e re kufitare paska lënë mijëra hektarë tokë të Kosovës në ‘anën e gabuar’.
Weller: Parimi kadastral, parim i vlefshëm
Duke qenë se Komisioni i Përbashkët, i udhëhequr nga profesori universitar i gjeodezisë Murat Meha, ishte shërbyer me kriterin kadastral, kundërshtimi i tri partive opozitare gjente vegëz pikërisht në këtë pikë.
Sipas tyre, pjesa kufitare e paregjistruar në terma kadastralë po i kalonte paushall Malit të Zi.
Megjithatë, kriteri kadastral kishte qenë ai të cilin Komisioni i Badinterit, me rastin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, e kishte sugjeruar për përcaktimin e kufijve ndërrepublikanë.
Në një opinion të tij mbi çështjen e kufirit Kosovë-Mali i Zi, profesori i së drejtës ndërkombëtare Marc Weller e kishte pohuar vlefshmërinë e një parimi të tillë.
Sipas tij, “të dhënat kadastrale të cilat kanë tërhequr shumë vëmendje në këtë rast, janë relevante, pasi që japin indikacionin më të saktë të shtrirjes së jurisdiksionit që komunat në fjalë pretenduan, ose menduan se e gëzojnë”.
Ç’sipërfaqe ka Kosova, sa kilometra katrorë?
Me një peticion për të cilin ishte thënë se e kishin nënshkruar 200 mijë qytetarë të Kosovës, me protesta, gaz lotsjellës në seanca të Kuvendit e deri te sulmet fizike e kërcënimet ndaj anëtarëve të Komisionit për Demarkacion, marrëveshja kishte hyrë në vitin e dytë si kryetemë e përmasave nacionale në Kosovë.
Teksa ‘provat’ e kundërshtarëve të demarkacionit ndryshonin nga dita në ditë, një komision për matjen e territorit kishte vlerësuar se Kosova nga marrëveshja e 2015-s nuk humbiste asnjë pëllëmbë tokë.
10.905.25 kilometra katrorë ishte përcaktuar madhësia territoriale e Kosovës.
“Në mbështetje të të dhënave dhe gjetjeve shkencore që u ofruan nga institucionet pjesëmarrëse në këtë komision, komisioni i ekspertëve e njofton qeverinë se madhësia territoriale para 25 gushtit 2015, pra nga viti 1961 është 10 mijë e 876 kilometra katrorë, 10 mijë e 908 kilometra katrorë sipas planit të Marti Ahtisarit, kurse, sipas matjeve të fundit Kosova ka territor 10.905.25 km katrore, pra një ndryshim shumë i vogël”, kishte thënë kryetari i këtij komisioni, Hivzi Islami.
Minusi i vetëm i konstatuar nga ky komision mes sipërfaqes sipas planit të Ahtisaarit dhe marrëveshjes së 2015-s vinte nga fakti që marrëveshja e parë e demarkimit me Maqedoninë kishte rezultuar me bilanc negativ prej 191 hektarësh ose 1.91 km katrorë (sipërfaqet kadastrale në Debëllde dhe Restelicë).
Departamenti i Shtetit: “Kufiri në përputhje me 1974-n”
Edhe ambasada amerikane në Prishtinë kishte siguruar se marrëveshja e 2015-s nuk sillte humbje në kurriz të Kosovës.
Në dhjetor të 2015-s, ajo kishte shpërndarë një vlerësim të Departamentit amerikan të Shtetit që kishte vlerësuar se “kufiri i sapovendosur përputhet ngushtësisht me kufirin siç është caktuar me Kushtetutën e 1974-s”.
“Ne e kuptojmë që themeli për përpjekjen e Komisionit për Demarkim ka qenë Kushtetuta jugosllave e 1974-s, e cila e përcaktonte kufirin e Kosovës nga kufijtë administrativë të komunave, që janë të pjesëzuar në zona kadastrale. Kjo bazë e vijëzimit u përdor edhe në Propozimin Gjithëpërfshirës të vitit 2007 nga përfaqësuesi i posaçëm i OKB-së Martti Ahtissari dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ishte thënë në vlerësimin e Departamentit të Shtetit.
Si u harruan fjalët e ekspertit
Të njëjtin konstatim e kishte thënë edhe Murat Meha, në kapacitetin e kryeshefit të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, shumë para se demarkacioni të shndërrohej në mollë sherri.
Në janar të 2012-s, ai kishte thënë se sipërfaqja e Kosovës nuk ishte ajo që dilte shpesh në atlasët e vjetër gjeografikë nga koha e Jugosllavisë.
“Territori i Kosovës është 10.908 km katrorë. A ka më fatkeqësi që në librat shkollorë të shkruhet edhe më tej se ka 10.887 km katrorë? Ndaj, gjeografët duhet ta përmirësojnë sepse kjo është matje e saktë. Dhe ky territor prej 10.908 km katrorë është i digjitalizuar në harta, tabela, skica, orto foto etj.”, kishte thënë Meha.