Enver Ajeti, i akuzuar nga prokuroria për përvetësim të mbi 70 mijë eurove, të martën, është deklaruar i pafajshëm në rigjykim, pasi që nga mbrojtja ishte ushtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, e cila kërkesë edhe ishte aprovuar nga Gjykata Supreme.
I akuzuari Ajeti ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 10 muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë, ku i njëjti aktgjykim edhe ishte aprovuar nga Gjykata e Apelit edhe pas ankesave nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe mbrojtja e të akuzuarit.
Pas leximit të aktakuzës seanca ka vazhduar me fjalën hyrëse nga prokurori Ibrahimi, i cili tha se mbetet pranë fjalës hyrëse të dhënë me 17 mars të vitit 2017. Po ashtu fjalën hyrëse e paraqiti edhe mbrojtësi i të akuzuarit Ajeti avokati Hamdi Podvorica.
Në fjalën e tij hyrëse avokati Podvorica tha se gjatë procedurës gjyqësore do të vërtetohet pafajësia, duke thënë se nuk ekziston asnjë dokument apo provë që vërteton se klienti tij Ajeti ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet nga prokuroria.
Tutje prokurori Ibrahimi propozoi që të konsiderohen të lexuara të gjitha provat materiale dhe personale të administruara nga shqyrtimet e mëparshme gjyqësore, i cili propozim u kundërshtua nga avokati Podvorica, dukë kërkuar që të aprovohen vetëm ekspertizat e Remzi Istrefi dhe Xhevdet Krasniqi.
Nga trupi gjykues u aprovua propozimi i prokurorit Ibrahmi që të konsiderohen të lexuara të gjitha provat materiale dhe personale të administruara në shqyrtimet e mëparshme gjyqësore.
Seanca vijoj me deklarimit e të akuzuarit Ajeti i cili në pyetje e avokatit Podvorica, tha se komisioni nuk ka vepruar drejtë kur ka thyer arkën për regjistrim edhe barazim.
“Unë mendoj qe nuk ka qenë i drejt ku edhe 7:30 i kam than do të vi e kam lut se gjithsesi me shty deri në 7:30 nesër e ata e kishin kry pa prezencen time”, tha i akuzuari Ajeti.
Tutje ai gjatë deklarimit të tij shtoi se komisioni i cili kishte ardhur për regjistrim të arkës ka prezantuar një dokument të panënshkruar të pavulosur dhe të shkruar me dorë.
“Komisioni ka prezantu një vendim, një letër pa vulë, pa protokollume, të shkrum me dorë, unë ju kam than me duhet të shkoj në Spitalin Amerikan e keni arkëtarin përgjegjësi ju lutemi vazhdoni, ky vendim duhet mu protokolu te shefi ekzekutiv’, deklaroi i akuzuari Ajeti.
Në fund u dha edhe fjala përfundimtare nga prokurori Ibrahimi, i cili tha se mbetet në tërësi pranë fjalës përfundimtare, duke bërë vetëm precizimin lidhur me cilësimin juridik të veprës penale pas rekomandimeve të dhënë nga Gjykata Supreme.
Fjalën hyrëse e dha edhe avokati Podvorica i cili tha se në ekspertizat e grupit të ekspertëve Ismajli dhe Krasniqi është vërtetuar qartë se i mbrojturi im nuk ka qenë i ngarkuar me mjetet financiare dhe me as produkte postare.
Tutje avokati Podvorica tha se sipas grupit të ekspertëve Ismajli, Krasniqi si dhe Flamur Keqa pozicioni prej 2 mijë e 950 eurosh sipas ekspertëve nuk dihet se kush ka qenë i ngarkuar me këto produkte, mjete monetare këto nga Wester Union.
Me dhënien e fjalës përfundimtare edhe nga avokati Podvorica, kryetari i trupit gjykues gjykatësi Alban Ajvazi e konsideroj të përfunduar këtë shqyrtim gjyqësore dhe shtoi se shpallja e aktgjykimit do të bëhet me 19 janar të këtij viti.
Gjykata Supreme e Kosovës me datën 02 dhjetor 2022 e kishte aprovuar pjesërisht kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë e ushtruar nga avokati Podvorica ndaj aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke anuluar kështu aktgjykimin e Themelores dhe duke e kthyer çështjen në rivendosje.
Në vendimin e Gjykatës Supreme thuhet se aktgjykimi i Gjykatës Themelore nuk është qartë i arsyetueshëm sa i përket shumës që konsiderohet si element qenësore i veprës penale.
Paqartësitë e saj lidhen më ekspertizën e Faik Hoxhës, Xhevdet Krasniqit ku në ekspertizën e Hoxhës thuhet se janë përvetësuar mjetet në shumën 71 mijë e 744 euro e 85 centë, ndërkaq në ekspertizën e Krasniqit ceket shuma 45 mijë e 890 euro e 19 centë, e në aktgjykim përmendet shuma 35 mijë e 373 euro e 77 centë.
Mbi këto baza Gjykata Supreme edhe ka aprovuar pjesërisht kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë e ushtruar nga avokatit Podvorica.
Sipas aktakuzës, pretendohej se Ajeti në bankë nuk i ka dorëzuar pazaret ditore, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe me këtë rast nga arka ka përvetësuar shumën prej 71 mijë e 744 euro, të cilën mungesë e ka zbuluar komisioni i kontrollës operative regjionale të Postës së Kosovës si dhe Koordinatorja e Financave të Postës së Kosovës.
Ndryshe, në fjala përfundimtare të dhënë në rigjykim, prokurori Shkelzen Ibrahimi kishte bërë përmirësimin e cilësimit të aktakuzës.
Ai kishte thënë se konform dispozitivit të aktakuzës dhe gjendjes faktike të vërtetuar gjatë këtyre shqyrtimeve gjyqësore dhe super-ekspertizës të përpiluar nga grupi i ekspertëve përfaqësuar nga eksperti Riza Blakaj dhe raporteve për zbërthimin e mungesës së mjeteve nga e dëmtuara Posta e Kosovës, në vend të veprës penale “Përvetësimi në detyrë” nga neni 425, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, duhet të jetë “Përvetësimi në detyrë” nga neni 425, par 3, lidhur me par 1 të KPRK-së.