Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë kohës që ishte në opozitë e kishte gojën plotë me kritika për shpenzimet zyrtare, përfshirë drekat e darkat zyrtare, shpenzimet e karburanteve dhe të tjera. Ai para tri vite kishte shkruar një postim në Facebook, ku thoshte se nafta në Kosovë nuk ka qenë asnjëherë më shtrenjtë, mirëpo që për xhipat zyrtar është e lirë. Kurti sot është në pushtet bashkë me partinë e tij dhe tash nafta është edhe më shtrenjtë, derisa veturave e xhipave nuk u zbresin fare,
Ai shkruante :
Që prej shpalljes së pavarsisë, nafta kurrë s’ka qenë më shtrejtë: 1 litër = 1 euro e 22 centë. Edhe më kaherë se kaq, nuk ka pasur këso thatësie në muajt tetor e nëntor. Shumë bujq sivjet nuk kanë mbjellë fare, kurse atyre që kanë mbjellë nuk po iu mbin fara. Shumë moti bujqësia kosovare s’ka qenë kaq dobët e importi kaq i lartë.
Sistemet e ujitjes janë me shumë defekte teknike dhe pa investime qeveritare. Arat pa ujë shiu prej qielli, janë edhe pa ujitje kanalesh tokësore. Sipër tyre, traktorë të rrallë e që të gjithë të vegjël. Fara e plehu edhe të shtrenjta edhe pa cilësi. Një shtet që e lë tokën e vet djerrë, nuk ka çfarë korr.
Sot po shtohen xhipat qeveritarë, që e kanë naftën e lirë ashtu siç duhet ta kishin traktorët e bujqve të cilët s’po kanë llogari të punojnë tokën. Me qeverisjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nesër, lirohet nafta për traktorët e bujqve që do ta punojnë tokën dhe hiqen xhipat e shtrenjtë, sepse popullit i duhet dhënë llogari.
Por vet deputetët e Kurtit janë ata që ditët e fundit janë shumë të përfolur për shpenzime të karburantit.
Disa nga ta madje as s’kanë të deklaruar veturë, mirëpo shpenzimet e tyre për vetëm dy muaj, shkojnë mbi 500 euro.
Madje deputetja e VV-së, Yllza Hoti, figuron se jeton në Prishtinë, s’ka të deklaruar veturë e madje ka shpenzuar 810 euro naftë për vetëm dy muaj.