Kombëtarja shqiptare e futbollit ka arkëtuar një pikë nga takimi në udhëtim me Republikën e Çekisë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.
Shqipëria mori një pikë falë barazimit 1:1 me Çekinë në stadiumin “Fortuna Arena” në Pragë.
Në këtë përballje debutuan edhe dyshja nga Kosova që u grumbulluan për herë të parë me Shqipërinë, Arbnor Muja dhe Mirlind Daku.
Ky i fundit pasi debutoi në pjesën e dytë, pas ndeshjes “shpërtheu” në lot gjatë prononcimit të tij.
“Jam pa fjalë, isha totalisht i emocionuar që arrita të debutoja me Kombëtaren shqiptare. Ka qenë një moment shumë i mirë për mua dhe familjen time”.
“Për këtë arsye luftojmë që të bëjmë krenarë popullin tonë. Kjo është më shumë se një Kupë Bote kur sheh gjithë ata njerëz duke na përkrahur” – tha ai pas ndeshjes.
Shqipëria me këtë pikë zë vendin e dytë me 7 pikë, një më pak se Çekia lidere.
Kujtojmë se pjesë e Grupit E me Shqipërinë dhe Çekinë janë edhe Polonia, Moldavia dhe Ishujt Faroe.