Bordi editorial i New York Times i kërkon kandidatit demokrat dhe presidentit aktual, Joe Biden, që të tërhiqet nga gara presidenciale pas debatit të dështuar kundër Donald Trump.
New York Times thotë se nëse Joe Biden do të zgjedhë të mos largohet nga kjo garë, ky vendim do të ishte një bixhoz i pamatur.
Komentatori politik, Thomas Friedman, në opinionin e tij për New York Times shkroi se debati Biden – Trump e bëri atë të qante, ndërsa shtoi se Joe Biden mund të jetë një njeri i mirë dhe një president i mirë, por ai nuk duhet të kandidonte sërish për tu rizgjedhur.
Friedman shkruan në editorialin e tij se Amerika duhet shpëtuar nga synimet dashakeqëse të Trump, pasi ish presidenti Amerikan nuk është ai lideri që i duhet Shteteve të Bashkuara në Shekullin e 21-të.
Komentatori politik i New York Times shkruan se për të frenuar atë që Trump mund të bëjë në krye të Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden duhet të tërhiqet nga kjo garë përpara mbajtjes së Konventës Kombëtare të Demokratëve në muajin gusht.
Sa i përket zëvendësimit të Biden me Kamala Harris, Thomas Friedman shkruan se zëvendës presidentja amerikane duhet të konkurrojë nëse e dëshiron diçka të tillë.
Sipas tij votuesit meritojnë një proces të hapur në kërkim të një kandidati presidencial demokrat, i cili mund të bashkojë jo vetëm partinë, por edhe vendin, duke ofruar diçka që asnjë prej kandidatëve nuk e ofroi të enjten mbrëma në skenën e Atlantës.
Thomas Friedman shkruan se presidenti i ardhshëm amerikan duhet të jap një përshkrim bindës se ku ndodhet bota tani dhe duhet të jap një vizion bindës për atë që Amerika mund dhe duhet të bëjë për të garantuar udhëheqjen botërore në aspektin moral, ekonomik dhe diplomatik.
Friedman shprehet në editorialin e tij se Joe Biden në një moshë më të re mund të ishte lideri i Amerikës, por mosha tregoi dobësitë e tij në debatin presidencial.
Sipas komentatorit politik nëse Biden zgjedh të tërhiqet duke thënë se për shkak të moshës së tij nuk mund të marrë një mandate të dytë, ai do të mbahet mend me mandatin e tij si një ndër presidentët më të mire në histori dhe mbi të gjitha ai do të shpëtonte Amerikën nga Trump.
Thomas Friedman në opinonin e tij shkruan se familjarët dhe ekipi i fushatës Presidenciale të Joe Biden mund të ruajnë dinjitetin e tij duke i kërkuar atij që të largohet nga kjo garë, ndërsa mbyll editorialin e tij duke shkruar se Amerika dhe e gjithë bota meriton më mirë.