Parlamenti Evropian shprehu të enjten shqetësim të thellë për shkeljet e të drejtave të njeriut të punëtorëve vietnamezë në Serbi, dhunën kundër protestuesve mjedisorë dhe ndikimin në rritje të Kinës në vend. Eurodeputeti francez Thierry Mariani, në emër të grupit të djathtë Identiteti dhe Demokracia, i kritikoi BE-në për qëndrimin e saj ndaj Serbisë.
Përveç kritikave ndaj autoriteteve serbe për përpjekjet për të shtypur protestat, mosrespektimin e standardeve evropiane të drejtave të punës dhe afërsinë me Kinën, disa ligjvënës evropianë kritikuan gjithashtu hapjen e kapitujve të rinj të negociatave për afrimin e Serbisë në BE në rrethanat e krijuara.
Eurodeputetët paralajmëruan gjithashtu për shkelje të drejtave të njeriut të rreth 500 punëtorëve vietnamezë në kantierin e ndërtimit të fabrikës Linglong në pronësi kineze në Zrenjanin.
Punëtorëve vietnamezë thuhet se iu morën pasaportat dhe u detyruan të jetonin në kushte çnjerëzore.
Prandaj, ligjvënësit evropianë paralajmëruan se Serbia po i jep Kinës dhe industrialistëve kinezë gjithnjë e më shumë privilegje ligjore në vend, edhe kur ato janë në kundërshtim me ligjet e BE-së, dhe shprehën shqetësimin për ndikimin në rritje të Kinës në Serbi dhe në Ballkanin Perëndimor.
Tonino Picula, eurodeputeti kroat nga socialistët (S&D) dhe njëri nga bashkautorët e propozim rezolutës, tha në një debat në Parlamentin Evropian se “në Serbi nuk janë të pakta rastet e ndikimeve të jashtme përmes investimeve të dyshimta që nuk janë në përputhje me ato evropiane, e të cilat rezultojnë me punë të detyrueshme”, transmeton Index.hr.
“E gjithë kjo me mbështetjen e drejtpërdrejtë të strukturave qeverisëse që krahasojnë protestuesit mjedisorë me fashistët, ndërsa huliganët e mbrojtur nga policia mbrojnë muralet për kriminelët e dënuar për krime të luftës”, shtoi Picula, duke treguar se çfarë është thënë edhe në amendamentin e tij në propozimin e rezolutës, përcjell Telegrafi.
“Vendimi i Komisionit Evropian për hapjen e një grupi negociatash mjedisore me Serbinë pas sulmeve të dhunshme të huliganëve të Vuçiqit ndaj protestuesve nuk e ndihmon besueshmërinë e BE-së”, tha Picula.
Viola von Cramon – Taubadel nga të Gjelbrit, gjithashtu bashkëautore e propozimit të rezolutës, tha se protestat në Serbi nuk kishin të bënin vetëm me mbrojtjen e mjedisit dhe ligjin e referendumit, por edhe me luftën kundër korrupsionit të përhapur dhe theksoi se BE nuk duhet të bëjë kompromis me standardet për vendet që hyjnë në BE.
Deputeti kroat Tomislav Sokol, në emër të Partisë Popullore Evropiane, tha se situata aktuale tregon faktin se “Presidenti Vuçiq kurrë nuk ka qenë realisht besnik ndaj ideve dhe vlerave evropiane”.
“Protestat paqësore shoqërohen me incidente dhe provokime, konflikte sporadike, shtytje dhe përleshje të shkaktuara nga grupe provokatorësh dhe përkrahësve të qeverisë, me mungesë të dukshme të policisë me uniformë. Është e qartë se Partia Progresive Serbe në pushtet kërcënon të drejtat politike dhe liritë civile. në Serbi”, paralajmëroi Sokol.
Eurodeputeti francez Thierry Mariani, në emër të grupit të djathtë Identiteti dhe Demokracia, kritikoi BE-në për qëndrimin e saj ndaj Serbisë.