Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, është pritur nga familja e madhe e luftëtarit të shquar të fshatit Grabovc, Shaban Berisha, shkruan Gazeta Papirus.
Haradinaj theksoi se ky fshat ishte shndërruar në një barrikadë të palakmueshme për forcat armike.
Postimi i tij i plotë:
“Sonte isha në konakun e Shaban Berishës, luftëtarit të madh të luftës dhe paqes. Vëllezërit e tij, në krye me Milazimin, na pritën ngrohtësisht, siç e ka traditë shqiptari. Kjo familje, në luftën e fundit, kishte rreth 20 luftëtarë, secili më i zoti se tjetri. Fshati Grabovc, që ndan Drenicën me Fushë-Kosovën, ishte kthyer në një barrikadë të pakalueshme për forcat armike. Kjo bujari shihej edhe sot në sytë e dhjetëra burrave që na nderuan me mikpritje dhe përkrahje të hapur për Kosovën fituese.
Gjithmonë do të jem krah i këtyre sakrificave të përbuzura nga ky pushtet”, ka thënë Daut Haradinaj.