Gjithë aktivitetin opozitar, Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, për vite me radhë e zhvilluan me një diskurs shumë të ashpër ndaj Partisë Demokratike të Kosovës.
Për shumëkënd në Kosovë dukej e pamundur një bashkëpunim ndërmjet këtyre dy partive.
Por, i erdhi dita edhe këtij bashkëpunimi, shkruan Demokracia.com.
Vetëvendosje e Albin Kurtit, në degën e vëllezërve Kurteshi në Gjilan, Samiut dhe Ismailit, sot arriti marrëveshje për bashkëqeverisje për 4 vitet e ardhshme me PDK-së e anatemuar ndër vite, e cila i mori katër drejtori dhe postin e nënkryetarit të Gjilanit.
Marrëveshje koalicioni me PDK-në, Lëvizja Vetëvendosje arriti edhe në komunën e Podujevës.
Këtij subjekti politik nuk i mjaftuan dy herë që ta zgjidhte kryesuesin e Kuvendit Komunal dhe për këtë iu deshën votat e PDK-së, më të cilën edhe ka krijuar koalicion bashkëqeverisës.
Me 19 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë të pavlefshme, asamblisti i PDK-së në Podujevë, Hilmi Hoxha, është zgjedhur në raundit të tretë të votimit kryesues i Kuvendit Komunal të Podujevës, pas zhvillimit të procesit të votimit.
Përveç kësaj, një pjesë e madhe e Lëvizjes Vetëvendosje e kishte votuar edhe Bedri Hamzën e PDK-së për kryetar të Mitrovicës, në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
Po ashtu, kjo parti kishte përkrahur edhe Ferit Idrizin e PDK-së në balotazh për kryetar të Vushtrrisë, kundër LDK-së.
Demokracia.com ua sjellë në kujtesë disa nga deklaratat më epike të Kurtit kundër PDK-së.
Albin Kurti pak para se të bëhej kryeministër kishte thënë se nuk do të bashkëpunojë më PDK-në. Madje, në shumë adresime të tij, PDK-në e kishte quajtur edhe si faktorin kryesor të “kapjes së shtetit të Kosovës”.
“Unë fare nuk e shoh PDK-në si partner, fare. Unë besoj se faktori kryesor i kapjes së shtetit të Kosovës është udhëheqja e PDK-së dhe pa u reformuar në opozitë, Partia Demokratike e Kosovës, çfarëdo koalicioni me të, nuk është koalicion”, ishte shprehur Kurti.
Po ashtu, Kurti në mbledhjen e partisë, duke folur për dështimin në zgjedhjet lokale, ku LVV-ja arriti të fitonte në vetëm 4 komuna, tha se me qeverinë e tij “imazhi i Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, asnjëherë nuk është ngritur sikurse sivjet”, ndërsa te çështjet “e papërmirësueshme”, Kurti ka theksuar krimin e organizuar, që sipas tij tash “ka zbarkuar në nivel lokal”.
Kur Aida Dërguti, më 11 dhjetor të vitit 2017, ishte larguar nga Lëvizja Vetëvendosje, kishte nisur një fushatë kundër saj. E kishin lidhur me PDK-në dhe SHIK-un. I patën publikuar fotografi me Xhavit Halitin e PDK-së të realizuara nga takimet zyrtare.
Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk ishin ndalur me kaq, pasi që ata kishin kërkuar edhe shkarkimin e saj nga pozita e Nënkryetares së Kuvendit. Gjykata Kushtetuese kishte refuzuar kërkesën e Vetëvendosjes, e cila kërkonte shkarkimin e saj.