Gati 30 milionë euro llogaritet t’i ketë humbur Kosova nga industria e mishit vetëm gjatë dy viteve e fundit.
Krejt kjo për shkak se bizneset të cilat merren me importimin dhe therjen e kafshëve nuk e deklaruan në AUV therjen e tyre dhe nuk e njoftuan ATK-në për mishin e therur dhe nxjerrjen e tij në treg.
Shmangia nga tatimit që bënë këto biznese, i shkaktoi dëm buxhetit të Republikës së Kosovës hiç më pak se 28 milionë e 917 mijë e 933 euro e 30 centë. Kështu i dolën llogaritë ekonomistit, Lulzim Beqiri, i cili e bëri këto përllogaritje preliminare ekskluzivisht për Kiks Kosova.
Sipas të dhënave që emisioni siguroi nga Dogana e Kosovës gjatë 2023-ës, në Kosovë u importuan 90 mijë e 404 krerë kafshë për therje të cilat kushtuan 71 milionë e 235 mijë euro, e për të cilat kompanitë importuese paguan 5.6 milionë euro TVSh.
Duke qenë se AUV lëshoi vetëm 32 mijë e 553 certifikata për therje, i bie që bizneset nuk deklaruan 57 mijë e 851 raste të therjes, të cilat përkthyer në euro i bie të jenë mbi 45.5 milionë euro.
Nga mosdeklarimi i tyre, Beqiri llogarit që ATK-ja humbi 8.2 milionë euro nga TVSh-ja 18 % dhe 4.5 milionë të tjera nga tatimi 10 %, duk e çuar kështu totalin e humbjeve në 12.7 milionë euro vetëm gjatë 2023-ës.
Gjendja hiç më e mirë nuk llogaritet as në vitin pasues.
Sipas kalkulimit të ekonomistit, gjatë 2024-ës bizneset nuk deklaruan 83 milionë e 781 raste të therjes së kafshëve.
Marrë parasysh se çmimi mesatar i kafshëve të importuara për atë vit, sipas të dhënave që Dogana ia dërgoi Kiksit, ishte 688 euro, vlera e kafshëve që u zhdukën nga sistemi ishte mbi 57.6 milionë euro.
Përkthyer në tatim, sipas kësaj përllogaritje preliminare, i bie që ATK-ja humbi mbi 10.3 milionë euro nga TVSh-ja 18 % dhe më shumë se 5.7 milionë euro nga tatimi 10%.
Derisa ATK-ja ndodhej në gjumë, nga industria e mishit, shteti i Kosovës humbi hiç më pak se 16.1 milionë euro vetëm gjatë vitit 2024.
Mbledhja e humbjeve nga shmangia e TVSh-së dhe tatimit që këto biznese i bën përgjatë 2 viteve të fundit, e rrumbullakson në 30 milionë euro dëmin që ia shkaktuan buxhetit të Republikës së Kosovës.
E nga ATK-ja, përmes e-mailit, i kanë thënë Kiksit, se gjatë 2023-ës ka shqiptuar 25 gjoba për mosdeklarim të mishit të therur.
Vlera e këtyre gjobave përkthyer në euro është 17 mijë e 135 euro.
Ndërkaq, në 2024-ën, kur dëmi llogaritet të ketë qenë rreth 4 milionë euro më i madh, Administrata Tatimore i tha Kiksit se ka shqiptuar vetëm 7 gjoba, vlera e të cilave ishte 8 mijë e 750 euro.