Lugina e Preshevës, me shumicë shqiptare, ka më shumë se 100 mijë banorë, bazuar në publikimin e rezultateve të para të regjistrimit të popullsisë në Serbi, nga Enti Republikan i Statistikave të këtij shteti.
Siç shkruan “Spektri”, sipas të dhënave, në Bujanoc janë regjistruar 54 mijë e 684 persona, ndërsa janë llogaritur 42 mijë e 634 banorë të kësaj komune. Në Komunën e Preshevës janë regjistruar 60,568 persona, ndërsa zyrtarisht llogariten vetëm 35.097 banorë.
Sipas sqarimit të autoriteteve serbe, regjistrimi përfshin çdo shtetas të Republikës së Serbisë me ose pa vendqëndrim në këtë shtet, të huaj me qëndrim të përhershëm dhe ata me lejeqëndrim të përkohshëm.
Sa i përket shifrave totale, Serbia ka më pak se 7 milionë banorë, apo rreth gjysmëmilioni më pak se regjistrimi i fundit, i vitit 2011.