Një rast tragjik ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në një familje në rrugën ‘Mark Isaku’ në Prishtinë, ku një burrë dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij. I dyshuari është dorëzuar në organet e hetuesisë he ka pranuar krimin e kryer.
Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Izet Godeni, 70-vjeçar.
Godeni dyshohet se gjithë aktin makabër ndaj bashkëshortes së tij e ka kryer në shtëpinë e familjes, ku dyshohet se ka goditur me sëpatë viktimën 63-vjeçare të cilës i ka shkaktuar plagë fatale.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore bashkë me ekipin mjekësor të Emergjencës ku kanë hasur në trupin e viktimës. Pas ekzaminimeve për shenjat vitale, mjeku kujdestar ka konstatuar se viktima ka ndërruar jetë.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Lajmi për Demokracia.com u konfirmua nga zëdhënësi i Policisë së Kosovë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Ai ka thënë se viktima është e moshës 63 vjeçare.
Ngjarja ka ndodhur në ora 4:40 të mëngjesit të së premtes.
I dyshuari është dërguar në mbajtje.
“Sot rreth orës 04:40 kemi pranuar informatën për një trup të pa jetë në një shtëpi në rrugën “Mark Isaku” në Prishtinë. Bazuar në hetimin preliminar si dhe ekzaminimin e vendit të ngjarjes me urdhër të prokurorit të shtetit, rasti është cilësuar vrasje e rëndë. Lidhur me rastin është vetëdorzuar një person i dyshuar: I. G, mashkull 70 vjeç. Personi i dyshuar me urdhër të prokurorit të shtetit, është intervistuar dhe i njëjti është dërguar në qendrën e ndalimit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës, femër 63 vjeç, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.”, ka thënë Borovci.