Mirlind Daku ishte prej atyre që bënë bujë gjatë “EURO 2024”.
Jo për ndonjë gol apo për vendosjen e ndonjë ndeshjeje, por për veprimin që e bëri pas takimit Shqipëri – Kroaci.
Daku mori altoparlantin dhe nisi një këngë fyese ndaj serbëve e maqedonasve. Momenti u incizua dhe më pas Daku u dënua me dy ndeshej moslojë nga UEFA.
Paraprakisht reaguan Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut dhe Federata e Futbollit e Serbisë. Kishte reagime të shumta edhe në Rusi, ku Daku e zhvillon karrierën në nivel klubesh.
Klubi i tij, Rubin Kazan, ka njoftuar se do ta dënojë futbollistin.
Daku kishte kërkuar falje përmes një postimi, ndërsa të dielën mediumi rus “Sport-Express” publikoi një intervistë me 26-vjeçarin, përcjellë “Gazeta Express”.
“Natyrisht, kjo javë ishte shumë e vështirë. Jam përballur me presion që nuk e kam pasur asnjëherë. Isha në qendër të një skandali, për të cilin jam i turpëruar. Nuk kam dashur të nxis një situatë të tillë, pa përmendur që kjo ngjalli valë reagimesh në media. Çdo gjë doli nga kontrolli. Pas gjërave si kjo, gjithnjë filloj të stresohem. Këto mendime dhe përvojë nuk më lëshojnë”, ka thënë Daku, sipas gazetës ruse.
Intervista e tij menjëherë është paraqitur edhe në mediat tjera ruse.
Sulmuesi i fuqishëm ka thënë se ky është njëri prej momenteve më të vështira në karrierën e tij. Ka bërë një shpjegim të situatës “pasi jo të gjithë në Rusi e dinë plotësisht se si ka ndodhur”.
“Pas ndeshjes së parë në Evropian me Italinë, mbrojtësi ynë, Elseid Hysaj, ka pranuar shumë kritika nga tifozët. Jo vetëm tifozët por edhe mediat kanë bërë presion ndaj tij. Pas ndeshjes me Kroacinë, kam dashur ta mbështes atë dhe kam shkuar së bashku me të te tribuna e tifozëve, që tifozët ta pranojnë atë, ta përkrahin dhe që të ndajmë momentin e gëzimit me të. Ata më pas i dhanë atij altoparlantin dhe unë isha afër. Më pas altoparlanti ishte në duart e mia dhe unë i thash ato fjalë. Në ndeshje si ajo, tifozët shpesh lejojnë veten të bëjnë thirrje ofenduese ndaj tifozëve të vendeve tjera. Kjo atmosferë të shoqëron gjatë ndeshjes dhe të mbërthen. Ndikon te të gjithë në stadium. Ajo ndeshje kishte fund emocional – shënuam golin e barazimit në minutën e fundit dhe unë bëra debutimin në Evropian. Kështu që emocionet ishin shumë të mëdha. Por kjo nuk më justifikon. Menjëherë më pas e kam kuptuar se çka kam bërë: kam thënë gjëra të papërshtatshme. Isha i shokuar që lejova emocionet të më kaplojnë dhe që lejova veten të bëj gjëra të tilla”, ka thënë Daku.
Në fakt në incizim shihet që Hysaj mundohet ta ndalë Dakun derisa ai nis fyerjet. Por sulmuesi shmang Hysajn dhe vazhdon thirrjen për të cilën tashmë kërkon falje.
Në intervistë, Daku thekson se nuk kishte thënë asgjë për Serbinë. Në fakt ai dëgjohet duke fyer serbët e maqedonasit.
“Më e rëndësishmja, nuk është dashur të them fjalë të tilla për asnjë popull. Është thjeshtë e papranueshme. Është akt i tmerrshëm dhe nuk më vendos në pozitë të mirë. Pas asaj që ndodhi federata serbe nuk ka dërguar ankesë zyrtare në UEFA. Nuk kishte ankesë specifike ndaj meje. Por e përsëris që situata nuk më vendos në pozitë të mirë. Jam pishman dhe kërkoj falje ndaj të gjithëve që janë lënduar nga ky veprim”, ka thënë Daku.
Ai ka theksuar se ka raporte të mira dhe madje miqësore me lojtarët serbë të Rubin Kazanit.
Futbollisti gjilanas i ka kërkuar falje ekipit, menaxhmentit të ekipit dhe stafit të trajnerëve. Ka thënë se ka ndier vazhdimisht përkrahjen e tyre. Ka pranuar që ka gabuar, ndërsa ka shtuar se vetëm me sjelljet e tij mund të dëshmojë që kjo mund t’i ndodhë çdokujt.
Ai e kupton vendimin e klubit për ta dënuar. Thotë se është logjike.
Daku ka mësuar se një veprim i pamatur mund të bëj që të shkatërrohet çdo gjë për të cilën keni punuar. Ka thënë se nuk urren askënd, pavarësisht nacionalitetit.
Rubin Kazani i ka dhënë disa ditë pushim Dakut. Ai pritet të kthehet së shpejti në Rusi. Por edhe një transferim në ndonjë vend tjetër nuk përjashtohet.
“Më është dhënë një pushim i shkurt pas grumbullimit me ekipin kombëtar. Duhet të fokusohemi në punë. Do të mundohem t’ua dëshmoj të gjithëve se kjo nuk do të më ndodhë në të ardhmen”, ka thënë Daku.