Crystal Palace ka realizuar një arritje historike duke fituar për herë të parë Kupën FA në 119 vjet histori. Ekipi nga Londra mposhti gjigantin Manchester City me rezultat minimal 1:0 në finalen e zhvilluar të shtunën mbrëma, shkruan Gazeta Sinjali.
Heroi i kësaj nate për “The Eagles” ishte Eberechi Eze, i cili realizoi golin e fitores në minutën e 16-të të ndeshjes.
Manchester City kishte rastin e artë për të barazuar shifrat në minutën e 36-të, por sulmuesi egjiptian Omar Marmoush dështoi nga pika e bardhë, duke humbur një penallti vendimtare.
Në pjesën e dytë, Palace shënoi sërish me anë të Daniel Muñozit në minutën e 58-të, por goli iu anulua pas ndërhyrjes së VAR-it për pozitë jashtë loje’
Fitorja në Wembley i solli Palacet jo vetëm trofeun e parë madhor, por edhe një biletë për në edicionin e ardhshëm të Ligës së Evropës, duke kurorëzuar sezonin më të suksesshëm në historinë e klubit.
Në anën tjetër, Manchester City e përmbylli sezonin pa asnjë trofe – diçka që nuk kishte ndodhur që nga sezoni 2016/17. Ekipi i Pep Guardiolës dështoi si në kampionat, ashtu edhe në garat evropiane, duke lënë një shije të hidhur për tifozët e “Qytetarëve”.