Ish-ministri i Integrimit Europian të Kosovës, Bekim Çollaku duke analizuar dialogun Kosovë-Serbi shprehet se negociatat ndodhen në fazën më të vështirë sa i takon arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare.
Sipas Çollakut qeveria e Albin Kurtit nuk e konsideron prioritet dhe takimet me Vuçiq kanë qenë të detyruara nga ndërkombëtarët ndonëse pa asnjë rezultat.
Ish-ministri i Integrimit Europian të Kosovës thotë se në këto bisedime “ka pasur tendencë për të rihapur çështje teknike” dhe se “dialogu ka qenë vetëm sipërfaqësor për qëllime të brendshme politike” duke bërë që “Kosova me këtë qasje ka thelluar izolimin”.
“Fajtor për ngecjen e dialogut janë tre palë, pala e Kosovës, Serbisë dhe është komunitetit ndërkombëtar, që duke parë që Kosova dhe Serbia nuk janë të gatshëm për marrëveshje përfundimtarë nuk kanë përdorur mekanizma për t’i shtyrë”, shprehet ish-ministri Çollaku për Euronewsal.
Ish-ministri Çollaku thotë se SHBA edhe pse nuk janë ndërmjetësues zyrtar të dialogut, kanë qenë prezent në çdo marrëveshje të arritur gjatë këtij procesi.
Lidhur me iniciativën rajonale të “Open Balkan”, ai shprehet se ka një problem esencial që në fillimin e saj në Novi Sad të Serbisë, ku Kosova nuk u ftua të ishte.
“Kjo iniciativë duhet të funksionojë për të gjithë në mënyrë të barabartë ose nuk mund të funksionojë fare. Pa dashje Kosovës i bëhet e pamundur pjesëmarrja në këtë iniciativë”, tha ai.
Sipas tij zgjidhja do të ishte që Kosova të bëhej anëtare e pjesshme e iniciativës duke respektuar detyrimet vetëm ndaj vendeve që njohin pavarësinë e saj.Kosova mund të bëhet anëtare e pjesshme dhe këtu të heqë barrierat kufitare me Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Malin e Zi në mënyrë që ndërkombëtarët të mos akuzojnë se me heqjen e barrierave Kosovë-Shqipëri po krijohet ‘Shqipëria e Madhe’”, u shpreh Çollaku.