Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë është duke shqyrtuar një vendim për rritjen e çmimit të energjisë elektrike deri në 16 për qind, kanë bërë të ditur burime të brendshme për Radion Evropa e Lirë.
Bordi i ZRRE-së në mbledhje ka miratuar kërkesat e tre operatorëve energjetikë – OST (Operatori i Sistemit të Transmetimit), OSSH (Operatori i Sistemit të Shpërndarjes) dhe FSHU (Furnizuesi i Shërbimit Universal) – për aprovimin e të hyrave të lejuara maksimale, transmeton Gazeta Papirus.
Gazetarët që ndodheshin në mbledhje nuk kanë arritur të marrin përgjigje të qartë nga kryesuesi i ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, lidhur me përqindjen e saktë të rritjes së tarifës së rrymës. Autoritetet kanë paralajmëruar se do të publikojnë detaje përmes një komunikate zyrtare.
Drejtori menaxhues i ZRRE-së, Petrit Pepaj, ka theksuar se rritja e kostos së shërbimit është rezultat i katër faktorëve kryesorë:
-
Ndryshimet në çmimet e energjisë së blerë nga FSHU;
-
Ndryshimet në kostot e energjisë së blerë nga OSSH;
-
Parashikimet për çmimet dhe importet e energjisë për vitin 2025;
-
Shpenzimet për shërbime ndihmëse për OST-në.
Pepaj shtoi se gjatë vitit 2025 është parashikuar edhe import i energjisë për shkak të planifikimeve për mirëmbajtje të njësive gjeneruese.\
Shtrenjtimi i rrymës, ZRRE i miraton të gjitha pikat që i kishte në rend dite