Një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë është në tavolinë. Quhet propozimi evropian për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve. Të nëshkruhet apo të mosnënshkruhet, kjo është çështja. Pak a shumë, kështu do të mund të shkruante Shekspiri në kronikën e tij mbi gjendjen aktuale para takimit të Ohrit, natyrisht po të jetonte më 2023 e emrin ta kishte Shefik.
Natyrisht, Bashkimi Evropian, më saktësisht i dërguari special i saj për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, u tregua i matur në lidhje me mundësinë e nënshkrimit të marrëveshjes nga ana e Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës, dhe Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë, në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Por çfarë mund të ndodhë nëse nuk nënshkruhet marrëveshja?
Pritshmëritë…dhe pasojat
Visar Ymeri, analist i njohur, i tregoi gazetës Nacionale pritshmëritë e tij në lidhje me takimin e Ohrit. Sipas tij, nuk pritet një ceremoni nënshkrimi.
“Mendoj që më së shumti që mund të pritet nga Ohri është dakordanca e plotë, ose gati se e plotë për aneksin e zbatimit të marrëveshjes tashmë të akorduar gojarisht. Nuk mendoj se takimi në Ohër parasheh ceremoni nëshkrimi, dhe nuk jam i sigurtë nëse kjo fazë kërkon një ceremoni të tillë. “Hapja e Shampanjave” do të duhej të vinte ne fund të procesit, pa kur vlerësohet se marrëveshje është implementuar e plotë.” – vlerësoi z. Ymeri.
Në analizën e tij, z. Ymeri përmendi edhe mundësinë e sanksioneve për palën që tregohet kokëfortë apo jokonstruktive.
“Sanksione për palët tashmë është e qartë se do të ketë. Por nuk pres që këto të ndodhin tash pas Ohrit. Ajo që po e lexojmë këto ditë përmes deklarimeve të diplomatëve perëndimorë janë serioziteti dhe vendosmëria e tyre për procesin dhe suksesin e tij. Një seriozitet i tillë përcillet me karrota dhe shkopinj. Por edhe me karrota që janë edhe shkopinj. Deklarimi i Ambasadorit amerikan Hovenier për bashkimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe mendoj se duhet parë kështu: shkop në formë karrote, ose karrotë me potencial shkopi. Sepse konstruktiviteti i Kosovës e sjellë angazhimin e plotë të ShBA për Partneritetin për Paqe, që nënkupton që moskonstruktiviteti e pezullon tërësisht angazhimin e ShBA-ve pa të cilin Kosova nuk ka gjasë të ketë kurfarë progresi drejt NATO-s.” – sqaroi analisti Ymeri.
Mundësinë e bllokimit të marrëveshjes, pra mungesën e nënshkrimit, e thekson edhe Adi Beqiri, ligjërues i diplomacisë në Shkollën e Gjenevës për diplomaci, kur flet për dakordimin rreth aneksit.
“Për më tepër, ky detajizim nuk do të arrihet jo përshkak të kohës që nevojitet për ta finalizu një plan të tillë, por, mbi të gjitha, për shkak të mospajtimeve të paleve mbi nënkupimet e pikave të caktuara. Më konkretisht, procesi me shumë gjasë do të bllokohet tek pika mbi Zajednicën – kompetencat e saja – dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Prandaj, është shumë pak e mundshme që të finalizohet kjo ndërmarrje në datën e dhënë.BE dhe Perëndimi në përgjithësi, me internacionalizmin liberal që e karakterizon, është duke kalu nëpër sfida e kriza kruciale politike/ekonomike/civilizacionale. Prandaj, është në dobi të saj që në kontinentin e saj të zbut gjakrat – të përdor ‘karrotën’ – se sa të përdor sanksionet, apo edhe kërcënimet e ndryshme.” – deklaroi Beqiri.
Në lidhje me mundësinë e sanksioneve, z. Beqiri ka një interpretim më ndryshe se Ymeri.
“Ndonëse mund të ketë mënyra për të influencu e sanksionu vendin/et refuzuese, duke pasur parasyh situatën aktuale gjeopolitike, është me shumë në interes të BE-së që ndaj palëve në fjalë të përdor politikën e ‘bindjes’ se sa të koercionit.” – tha tutje Beqiri.
Edhe Gazmir Raci, analist në emisionin “Rubikon”, nuk pret një marrëveshje të nënshkruar nga palët më 18 mars në Ohër. Megjithatë, nga ky takim, z. Raci, që dikur ishte pjesë e negociatave në Bruksel, vlerëson se mund të ketë një deklaratë të përbashkët nga palët.